E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në pritje të kodit telefonik

Derisa drejtues të Ministrisë së Transportit thonë se ende nuk mund të flitet për një datë të përafërt se kur Kosova do të ketë kodin e telefonisë së vet, ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se është shumë vështirë që një shtet i cili nuk është i pranuar në Kombet e Bashkuara të ketë kodin e vet telefonik.

Ndarja e një kodi telefonik për Kosovën, vazhdon të jetë edhe më tej një problem në vete, edhe përkundër faktit që shumë herë është premtuar që sa më shpejt që të jetë e mundur Kosova të ketë kodin e vet, mungesa e të cilit po i shkakton vendit humbje prej miliona eurove.

Sipas drejtuesve të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit (MTPT), ende nuk dihet se kur do të kemi kodin e telefonisë, ndërkohë që theksojnë se është duke u punuar me miqtë tanë ndërkombëtarë në gjetjen e alternativave tjera dhe se shumë shpejt do të arrihet të bëhet një zgjidhje.

Ministri Fatmir Limaj ka thënë për Kosovapress, se ndarja e kodit telefonik është e lidhur me numrin e njohjeve për të qenë anëtare e Unionit Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU).

“Është e lidhur me statusin e Kosovës. Fatkeqësisht, ju e dini kemi biseduar shumë për këtë çështje, kemi thënë që nuk mund të lidhemi me një datë dhe kohë. Fakti është që Kosova ka probleme ende me njohjet dhe nuk mund ta sigurojë numrin që të jetë anëtare ITU-së, dhe ky është një nga problemet kryesore. Përpjekjet tona po shkojnë në atë drejtim që të gjejmë alternativë. Dua të them se kemi disa nga miqtë tanë e sidomos SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, që po na ndihmojnë për të gjetur kanalet se si të gjejmë një formë tjetër. Ende nuk jemi atje, por besoj që shumë shpejt edhe kjo çështje në raport me zhvillimet e njohjes së Kosovës do të kemi një zgjidhje edhe në këtë drejtim”, ka thënë ministri Limaj.

Eksperti i ekonomisë, Shpend Ahmeti nga Instituti GAP, ka thënë se është e vështirë për një shtet, i cili ende nuk është i pranuar në Kombet e Bashkuara të ketë kodin e vet telefonik.

“Kodi telefonik dhe organizata e cila e përcakton kodi telefonik është në një mënyrë pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe është shumë vështirë një shtet i cili nuk është i pranuar në Kombet e Bashkuara të ketë kodin e vet telefonik, dhe kemi probleme të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me të hollat. Por, ka probleme që i gjithë sistemi jonë telefonik fiks për shembull është i varur dhe shkon gjithë rrjeti ndërkombëtar përmes Serbisë, e mos të flasim për pjesën tjetër që edhe telefonia mobile e jona është e detyruar që të marrë kode telefonike prej shteteve të tjera, të cilat jo vetëm që e rrisin koston e telekomunikacionit, por edhe e dobësojnë kualitetin e telekomunikacionit që kemi. Duhet të punohet më shumë në këtë drejtim, por është e varur edhe nga njohjet e shtetit të reja dhe prania jonë në Kombet e Bashkuara”, ka thënë Ahmeti.

Për ushtruesin e detyrës së kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërgjaliu, ndarja e një kodi për Kosovën është një sfidë shumë e madhe, dhe për këtë edhe MTPT-ja, edhe PTK-ja duhet ta vënë në prioritetin e tyre sepse kështu sipas tij janë duke u krijuar humbje të mëdha.

“Është një sfidë mjaft e madhe për institucionet vendore dhe ndërkombëtare, të cilat janë aktive në Kosovë. Duhet të jetë një prioritet i Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit. Po ashtu, duhet të jetë edhe prioritet për vetë stafin menaxhues të Postë-Telekomit të Kosovës, sepse në këtë mënyrë vërtet jemi duke krijuar humbje, dhe se sa ka rëndësi një kodë i tillë, mjafton të analizojmë rastin e fundit që ka ndodhur në disa enklava serbe, prandaj sa më herët që një proces i tillë të zgjidhet do të jetë shumë më lehtë për Kosovën, do të ndikojë në aspektin politik, ekonomik, dhe në aspektin strategjik”, ka thënë ai.

Për më tepër Gërxhaliu thekson se institucionet e vendit nevojitet që sa më shpejt duhet të kërkojnë gjetjen e rrugëve për sigurimin e kodit të telefonisë, pasi që kodi telefonik identifikon edhe vetë Kosovën si shtet funksional.

“Do të thotë deri sa nuk do ta kemi një kod e kemi një pavarësi, dhe jemi një shtet, mirëpo diçka i mungon dhe ai është kodi, i cili është mjaft identifikues apo emblematik për një shtet dhe funksionimin e shtetit”, ka thënë ai.

Shtetet që kanë problem me njohjen, Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit ua ka lënë mundësinë që të shfrytëzojnë atë që quhet kod gjeografik. Por, Kosova refuzon të pajiset me një kod të tillë, pasi që është e interesuar të ketë kodin telefonik shtetëror, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të zgjidhet ky problem.

Në mungese të kodit shtetëror, Kosova shfrytëzon tri kode të shteteve të huaja. Për telefoninë fikse përdor atë të Serbisë 381, ndërsa për telefonitë mobile përdoret kodi i Monakos 377 dhe ai slloven 386./kosovapress/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›