E Diel, 1 Nëntor 2026

Premtimi i Blater: Në 2014, s’do ketë më gola fantazmë

NION- Ndonëse ka qenë një nga armiqtë më të mëdhenj të teknologjisë, Sep Blater duket se është kthyer pro saj. Presidenti i FIFA-s ka deklaruar se të paktën për golat fantazmë, do të lejohet përdorimi i saj.

“Nëse Zoti më ndihmon, në vitin 2014 do të jem akoma president. Nuk do të shihni më një Botëror, ku topi kalon 70 cm linjën e portës dhe nuk jepet gol”, tha Blater, referuar golit të Anglisë në ndeshjen me Gjermaninë në Botërorin e Afrikës së Jugut. “Janë bërë shumë teste, - tha numri 1 i FIFA-s, - dhe të paktën dy sisteme u përgjigjen kërkesave tona: shpejtësi, precezion dhe thjeshtësi. Ato do t’i paraqiten Bordit në mars”.

Por, Blater zbuloi edhe një lajm të rëndësishëm përsa i përket të ardhmes së FIFA-s, duke thënë se në postin e tij mund të ulet Mishel Platini, presidenti aktual i UEFA-s. “Platini është gati dhe them se ai do të jetë një president i mirë. Nuk do të bëjë atë që kam bërë unë, sepse personat janë të ndryshëm, por do të jetë një president i mirë”, deklaroi Sep Blater.
(ma.ar/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›