Rruga e vështirë drejt Europës që më në fund u gjend
Një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët më në fund mbërriti nga Europa. Para mbarimit të këtij viti, të gjithë shqiptarët, pa përjashtim, do të kenë mundësinë që festat e fundvitit për herë të parë të mund t’i festojnë së bashku me të afërmit e tyre kudo që të ndodhen, në hapësirën Shengen. Sigurisht që të gjithë janë të gëzuar. Një mrekulli që vjen nga Zoti duhet përshëndetur. Shekulli i shkuar ka shënuar dy ngjarje me rëndësi për popullin shqiptar; pavarësinë e Shqipërisë më 1912 dhe rrëzimin e komunizmit më 1992. Ndërkohë ky shekull i ri solli ngjarje të gëzueshme, hyrjen ne NATO dhe liberalizimin e vizave – pra, bashkimin me Europën, çka ka qenë ëndrra e brezave të shkuar. Në këtë ditë të shënuar duhet të kujtojmë martirët e kombit, të gjithë ata që derdhën gjakun dhe dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë dhe për Demokraci, për t’ju bashkuar familjes europiane. Ata janë me mijëra dhe me mijëra prej tyre akoma varret nuk po munden t’u gjenden. Thënë për hir të së vërtetës, të gjithë nuk munden të jenë të gëzuar. Nuk janë gëzuar por shumë janë hidhëruar milionerët e Partisë Socialiste në Parlamentin e Shqipërisë me në krye Edi Ramën, Gramoz Ruçin, ish-sigurimsat e kupolës enveriste dhe hordhia tjetër e pinjojve të diktaturës komuniste. Ata janë në ditën e tyre më të zezë. Më në fund edhe maskat dhe makiazhet u çorrën. Po bëhet gati një vit që kjo lukuni njerzish të pafytyrë nuk ka lënë mjet as shpifje pa hedhur kundër Shqipërisë dhe qeverisë “Berisha”, me qëllim destabilizimin e vendit, për të penguar integrimin në Europë dhe nga ana tjetër marrjen e pushtetit me anën e dhunës dhe violencës.
Por të gjitha u shkuan kot, duke u bërë gazi i botës. U bënë për turp dhe faqe të zezë edhe përpara elektoratit socialist, përpara të gjithë atyre qindrave që i ndoqën si qorri rrugëve të Tiranës duke dëgjuar përrallat e Spartak Ngjelës se “Berisha mori fund sot, por hajdeni edhe nesër”. U lodhën të shkretët njerëz duke ngrënë ato qofte të prishura që u bënte dhuratë Edi Rama... Na u gjendën edhe “heronjt e Edit”, që u ngujuan në çadra në Bulevardin kryesorë të Tiranës dhe hoqën të zitë e ullirit duke ngrënë fsheurazi, pale problemet e tjera të radhës në nevojtoret e instaluara me kazanë të stisur. Këto vetëm një mendje e sëmurë si Edi Rama mundet që t’i prodhojë. Dhe për veten e tij kujdesej që sapo mbaronte fjalimi duke derdhur lotë krokodili për “heronjt dhe heroinat” e ngujuara në çadra, ja këpuste për njëqind palë qejfe në lokalet më të mira të Tiranës. Kjo ishte logjika e Kryetarit të PS, vdisni ju, se unë duhet te bëhem Kryeministër i Shqipërisë. Për 19 ditë me radhë Bulevardi kryesor i Tiranës u bë dëshmitar i një komedie. Por ajo ishte vetëm pamja e një akti të asaj komedie që është luajtur kundër interesave kombëtare, gjithnjë dhe vazhdimisht nga e majta ish-komuniste në këto 20 vite të tranzicionit.
Por kauza “të bëhet, ç’të bëhët, vetëm Berisha të mos ishte në pushtet” po merr goditje të forta. Nuk është rastësi që evenimentet historike të integrimit të Shqipërisë në strukturat euro-atlantike kanë ndodhur gjithnjë dhe vazhdimisht kur në pushtet ka qenë e djathta e kryesuar nga Sali Berisha. Dhe kjo i tmerron bolshevikët. I tmerron hyrja në NATO, kur Shqipëria bën pjesë në aleancën e 27 vendeve më të fuqishme të botës, vendi kandidat për në BE dhe tani liberalizimi i vizave ka këputur ëndrrën e tyre si të gomarit që po e hante ujku. I tmerron rruga e “Kombit” që lidh Shqipërinë me Kosovën. Liberalizimi i vizave me BE e ka tronditur edhe për një arsye tjetër elitën e PS dhe patericat e thyera të tipit Gjinushi, Ngjela, Veliaj, Ndoka etj. Bashkimi Europian ka vendosur kusht të domosdoshëm shkatërrimin dhe konfiskimin e pasurisë së mafies kriminale në Shqipëri që dihet publikisht se menaxhohet nga elita e të majtës ish-komuniste.
Por tashmë, për në Europë, rruga është e hapur. është një festë e madhe për të gjithë shqiptarët që don Zoti të përsëritet gjithmonë në gëzime për të gjithë bashkatdhetarët.