E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premton angazhim

Ministri i Sportit, Lutfi Haziri të martën në zyrën e tij ka pritur kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani dhe krerët e federatave sportive të Kosovës.

Ky takim është mbajtur me qëllim që udhëheqësit e sportit kosovar të njoftohen me ministrin e ri të Ministrisë së Sportit, Lutfi Haziri, i cili në këtë post zëvendësoi para pak javësh Valton Beqirin.

Në këtë takim, ministri Haziri ka thënë se do të angazhohet për të përmirësuar gjendjen e sportit kosovar në të gjitha aspektet, e në veçanti për ta rregulluar infrastrukturën ligjore për sport.

Haziri u ka premtuar krerëve të federatave sportive se do t’i mbështesë gjatë rrugës për ndërkombëtarizimin e sportit kosovar.

“Integrimi i sportit kosovar në asociacionet ndërkombëtare është një proces krejtësisht legal dhe i drejtë. Angazhimi ynë i përbashkët duhet të fokusohet në vendosjen e standardeve ndërkombëtare në të gjitha fushat e sportit”, ka thënë Haziri.

Në anën tjetër, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani dhe krerët e tjerë të federatave sportive kosovare e kanë përgëzuar Lutfi Hazirin për postin e ri, atë të ministrit.

Hasani ka thënë se bashkëpunimi i ndërsjellë do të jetë në funksion të zhvillimit, avancimit dhe ndërkombëtarizimit të sportit kosovar.

Ndërsa, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Fadil Vokrri ia dhuruar Hazirit fanellën me numër 9 të përfaqësueses së Kosovës.

Ministri Haziri shfrytëzoi këtë takim për t’i shpërndarë edhe licencat për 13 federata sportive të Kosovës.

Federatat e licencuara nga Ministria e Sportit janë: Federata e Futbollit e Kosovës, Federata e Hendbollit, Federata e Basketbollit, Federata e Atletikës, Federata e Mundjes, Federata e Çiklizmit, Federata e Tenisit, Federata e Xhudos, Federata e Shenjëtarisë, Federata e Kickboxit, Federata e Boksit, Federata e Notit dhe Federata e Pingpongut.

Kosova në Olimpiadën Londra 2012?

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Lutfi Haziri, priti Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Andrew Sparkes. Ky i fundit gjatë këtij takimi ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta përkrahë MKRS-në në të gjitha fushat e saj.

Ndërkaq, Ministri Haziri nënvizoi se MKRS-ja, përmes federatave sportive dhe Komitetit Olimpik të Kosovës, do të angazhohet që sportistët e Republikës së Kosovës të marrin pjesë në Lojërat Olimpike, të cilat do të mbahen në vitin 2012 në Londër.

Haziri ka thënë se përmes pjesëmarrjes në aktivitetet sportive ndërkombëtare, sportistët kosovarë do t’i prezantojnë vlerat dhe shkathtësitë e tyre sportive në fushat e ndryshme.

“Unë do të kërkoj nga qeveria e Anglisë që ajo të kërkojë nga shtetet e tjera që ende nuk e kanë njohur Kosovën, të pajtohen me pjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Olimpike me të drejta të plota, të cilat mbahen në vitin 2012 në vendin tim”, ka thënë Sparkes, pas takimit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›