E Shtunë, 31 Tetor 2026

KEK-u e zdriti

KEK-u është skuadra e cila po shkëlqen në stinorin pranveror dhe me plot meritë aktualisht gjendet në pozitën e dytë të tabelës së klasifikimit të Superligës me 41 pikë të tubuara – vetëm tri më pak sesa lideri Trepça.

Edhe pse pjesën e dytë të kampionatit e nisi pa disa lojtarë kyçë, të cilët u transferuan nëpër ekipe të tjera, skuadra bardhegjelbër në tetë xhirot e deritanishme të stinorit pranveror ka tubuar më së shumti pikë, krahasuar me skuadrat e tjera.

Deri më tani, KEK-u i ka fituar 15 pikë, tri më shumë sesa kampioni vjeshtor Trepça, e cila deri më tani i ka fituar vetëm 12 pikë.

‘Elektricistët’ në këtë pranverë i kanë shënuar katër fitore, derisa në tri ndeshje ka luajtur baras, kurse e ka pësuar vetëm një humbje.

Falë këtyre rezultateve pozitive, klubi nga qyteti i Kastriotit ka hyrë seriozisht në garë për titullin e kampionit, objektiv ky të cilin ekipi nga Kastrioti nuk e kishte në fillim të kampionatit.

Andaj, KEK-u tani cilësohet si njëra prej skuadrave favorite për t’u stolisur me titullin e kampionit, për të cilin trofe në garë janë edhe Trepça, Besa, Prishtina e Flamurtari, eventualisht edhe Hysi.

Kryetrajneri i këtij klubi, Bylbyl Sokoli, i cili ka bërë punë të madhe për këto rezultate pozitive, thotë se meritat më të mëdha u takojnë futbollistëve të tij të disiplinuar, kryesisë së klubit dhe anëtarëve të tjerë të shtabit teknik.

Edhe pse ka vetëm tri pikë më pak sesa lideri aktual Trepça, Sokoli thotë se ekipi i tij nuk e ka objektiv kryesor titullin e kampionit. Por ai paralajmëron se KEK-u në çdo ndeshje do të hyjë për fitore.

“Për titullin e kampionit më favoritë sesa KEK-u janë Trepça, Prishtina, Besa, Hysi e Flamurtari”, deklaroi Sokoli për Express.

“Nuk e kemi synim titullin e kampionit për ta fituar me çdo kusht. Mirëpo, ne do të përpiqemi që edhe në ndeshjet e ardhshme të korrim suksese. Ne në çdo ndeshje hyjmë të përgatitur mirë dhe të motivuar. Edhe në ndeshjet e ardhshme, KEK-u do të hyjë për të treguar paraqitje të mira, por edhe për të fituar”, theksoi ai.

Pas KEK-ut, Prishtina dhe Besa janë dy ekipet e tjera që kanë fituar më së shumti pikë në këtë stinor- nga 14 sosh. Kurse, lideri aktual Trepça i ka mbledhur vetëm 12 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›