E Diel, 1 Nëntor 2026

Premton njohje të reja nga Afrika

Së shpejti Kosovën pritet ta njohin edhe shtete të tjera afrikane.

Këtë e ka konfirmuar për Radio Kosovën zëvendëskryeministri Bexhet Pacolli i cili po qëndron në Kenia të Afrikës.

Sipas Pacollit, njohjet do të vijnë para fillimit të takimit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që mbahet në javën e tretë të shtatorit.

Pjesa më e madhe e shteteve afrikane tashmë janë përkrah Kosovës tha zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli.

Në një intervistë për Radio Kosovën, nga Kenia e Afrikës, Pacolli tha se para fillimit të vjeshtës Kosova do të njihet nga disa shtete afrikane.

“Unë besoj se para fillimit të asamblesë së OKB-së ne do të kemi disa njohje të reja dhe me këtë procesi do të shkojë përpara. Tani ne e kemi pjesën më të madhe të Afrikës në anën tonë, ata janë miqtë tanë”, tha Pacolli.

Që nga koha kur është zëvendëskryeministër, aktivitete më të shpeshta Pacolli i ka zhvilluar në vendet afrikane. Arsyeja e lobimit në këto vende, sipas tij, ishte që të hiqen pengesat që Kosova i kishte nga këto shtete në Kombet e Bashkuara.

“Pengesat më të mëdha që iu kanë bë Kosovës i kanë ardhur nga vendet e Afrikës, sepse këto kanë qenë shtete besnike të vendeve të pa inkuadruara. Dhe në çdo iniciativë ne kemi pasur pengesa prej këtyre shteteve. Prandaj, unë e kam pa shumë të arsyeshme që të punohet me këto shtete”, tha Pacolli.

Zëvendëskryeministri Pacolli, i tha Radio Kosovës se së shpejti do të fillojë lobimin edhe në Amerikën e Jugut, me qëllim që Kosova të njihet nga sa më shumë vende të ndryshme botërore.

“Ne duhet të fokusohemi edhe në Amerikën e Jugut. Unë tashmë i kam filluar kontaktet dhe shumë shpejtë do të udhëtoj edhe atje. Por, misionin që e kam filluar në Afrikë do ta përfundojë të paktën deri sa t`i kemi rreth 70 për qind të vendeve që e kanë njohur Kosovën”, tha Pacolli.

Gjatë vizitës së tij, zëvendëskryeministri Pacolli mori pjesë edhe në mbledhjen e Unionit Afrikan, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit më të lartë të 54 shteteve të Afrikës. Po ashtu ka pasur takime edhe me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›