Premton sukses
Edhe pse i ri në skenën muzikore të Kosovës, këngëtari Sokol Gjakova gradualisht është duke u ngritur lart në skenën muzikore. Këngët e tij tashmë janë bërë hit në youtube, përderisa stili i tij është stil i muzikës popullore shqiptare. Këngët e shumta të repertorit të tij ka bërë që ai t’i tubojë ato në një album dhe ta editojë atë me titull “Jemi të huaj”.
Sipas këngëtarit, në këtë album janë përmbledhur tetë këngë, që janë pritur shumë mirë nga publiku. “Dy prej tyre janë balada, të cilat mund të krahasohen edhe me baladat e këngëtarëve tanë më të njohur , kurse të tjerat janë këngë ritmike, të cilat janë shumë të pëlqyera në ambientet me atmosferë festive”, thotë këngëtari në një bisedë të shkurtër për Express.
Për këtë album, Gjakova ka punuar me shumë emra të muzikës në Kosovë, por edhe jashtë saj. Janë këta Ilir Tolaj, Ardian Kastrati dhe Ocko, përderisa tekstet e këngëve të tij janë shkruar nga Arsim Bunjaku dhe Avni Qahili. Gjakova deri tani ka marrë kritika të mira nga bashkëpunëtoret e tij, të cilët thonë se ai do të jetë një yll i ri i muzikës popullore në Kosovë dhe në Shqipëri.
“Editimi i albumit ‘Jemi të huaj’ i është besuar kompanisë ‘Eurolindi’, e cila ka edituar edhe albumet e shumë prej këngëtarëve më të preferuar të publikut shqiptar, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe diasporë”, thotë ai.
Gjakova përpos albumit ka të realizuar edhe tri videoklipe të këngëve, të cilat janë transmetuar edhe nëpër televizionet tona kombëtare. “Ndërkaq, gjatë festave të Vitit të Ri, po ashtu kam kënduar në shumicën e televizioneve kombëtare”, thotë Gjakova për Express.