I sëmuret babai, Fatoni largohet nga BBA 4

Edhe pse kishte vetëm tri ditë brenda shtëpisë së “Big Brother”, Fatoni ka vendosur të lërë përfundimisht lojën. Shkak i këtij vendimi ka qenë lajmi që ai ka marrë nga “Vëllai i Madh” për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të të atit. Fatoni ka bërë gati valixhet dhe është nisur drejt Kosovës.
Fatoni zgjohet nga “Vëllai i Madh” ende pa u ndezur dritat e dhomës së gjumit. Atij i komunikohet se shëndeti i babait të tij është përkeqësuar. Kështu Fatoni vendos që të lërë shtëpinë e “Big Brother” për të shkuar pranë familjes së tij në Kosovë.
Pasi del nga dhoma e rrëfimit, ku i komunikohet edhe lajmi i keq për të, Fatoni fillon të përgatitet duke bërë gati valixhet. BB ndez dritat e dhomës së gjumit dhe banorët fillojnë të ndiejnë lëvizjet e Fatonit. Petriti dhe Shkëlqimi ngrihen nga krevati dhe përcjellin Fatonin. Këtu përfundon aventura e Fatonit, i cili u detyrua të linte shtëpinë, për t’i qëndruar pranë babait të tij në momentet kritike të jetës.
Lajmi i Fatonit për banorët
Pas largimit të Fatonit, Shkëlqimi dhe Petriti merren me punët e mëngjesit. Duke pirë kafenë dhe cigare, ata bisedojnë për Fatonin dhe urojnë që të mos ketë ndodhur asgjë e keqe dhe që i ati i tij të shërohet. Më pas Shkëlqimi shkon në dhomën e gjumit, ku banorët e tjerë vazhdojnë të flenë. Teksa ndërron bateritë ai u rrëfen banorëve që zgjohen për largimin e Fatonit. Ndër banorët e parë që e marrin vesh largimin e tij janë Neda dhe Marieli. Ora kalon dhe banorët fillojnë të zgjohen. Kështu Mirjeta zgjohet e shqetësuar nga një ëndërr e keqe. Ajo shkon dhe ulet pranë Shpëtimit, të cilit i rrëfen atë që ka parë në ëndërr dhe merr vesh për largimin e Fatonit. Mirjeta shprehet se i vjen keq për Fatonin që e ndërpreu kaq shpejt aventurën e tij në BB dhe për më tepër për babanë e tij. Të njëjtën gjë thotë edhe Shkëlqimi. Mirjeta thotë se i vjen keq që nuk arriti ta njihte dhe se do të dëshironte ta takonte përpara se ai të largohej.
Ogreni, Nedës: Je sipërfaqësore
Thyhet marrëdhënia e dashurisë mes dy banorëve
Loja në reality-show-n “Big Brother”, po bëhet gjithmonë e më shumë interesante. Këtu nuk e kemi fjalën për historitë e dashurisë, por për ato marrëdhënie që nisin si të tilla, por që rrëzohen rrugës.
Kështu duket se ka ndodhur me “çiftin” Neda-Ogren. Të hënën në mbrëmje, ndryshe nga banorët e tjerë, ata të dy kanë preferuar që të qëndrojnë jashtë shtëpisë. Por ajo që nisi si një dëshirë për pak intimitet, duket se përfundoi në acarim të marrëdhënies mes dy të rinjve. Ogreni e ka pyetur fillimisht Nedën për opinionet që ajo kishte për banorët e tjerë. Neda, pasi i renditi mendimet e saj për banorët sipas marrëdhënieve që ajo kishte me ta, komentoi për Algenin se, ai “është kopil”.
Por testi i Ogrenit për Nedën ishte më tepër i gjatë se kaq. Pasi dëgjoi dhe opinionet për të tjerët, Ogreni nuk u ndal dhe nisi ta pyeste për jetën e saj Nedën. Fillimisht, për dashurinë e parë të Nedës. Kjo e fundit, pasi tregoi se ka pasur një dashuri të madhe për të (të dashurin e parë), pohoi se në momentin që kishte vënë në punë logjikën, kishte kuptuar që ai nuk ishte për të. Kaq ka mjaftuar që Ogreni të nisë një breshëri pyetjesh provokative, të cilat e konfonduan pa masë Nedën. Edhe pse ajo në fillim u përpoq të jepte argument për çdo pyetje që i bënte Ogreni, shembujt e saj e futën në një qorrsokak, nga i cili Neda nuk dinte si të dilte.
Kjo i dha më shumë dorë Ogrenit, për të vazhduar lojën e tij të pyetjeve. Pyetje të cilat Neda me vështirësi i kuptonte, arsye kjo, për të cilën jepte përgjigje që s’kishin lidhje me atë çfarë Ogreni e pyeste. Ky i fundit, në një moment i pohoi Nedës se “jashtë shtëpisë ata të dy nuk do të kishin shance, jo të ishin shokë, por as të flisnin me njëri-tjetrin”. Përgjigje kjo, pas një deklarate të gjatë që i bëri Neda se si do të përpiqej t’i binte në sy Ogrenit, nëse nuk do të ishin në shtëpinë e Big Brother.
Në hallakatjen e saj, Neda, e cila si gjithmonë përdori fjalë të mëdha e argumente, edhe për gjëra shumë të vogla, duket se e zvogëluan edhe më shumë në sytë e Ogrenit. Biseda e tyre, që nisi rreth orës nëntë të mbrëmjes, ka vazhduar deri pas mesnatë, ku të dy janë ndarë thuajse të ftohtë me njëri-tjetrin. Pasi Ogreni ka dëgjuar për orë të tëra Nedën dhe fjalimet e saj të pafundme, në fund i është drejtuar me disa fjali që e kanë befasuar paksa Nedën. “Ti je sipërfaqësore, je e dyzuar, ti ke dëshirë për të ngelur pre e fjalës”, i është drejtuar Ogreni, Nedës, kur ka parë që ajo nuk lëshonte pe për asnjë diskutim që ata bënin së bashku. Diskutimi i tyre u kthye në një debat ku ajo çfarë u vu re ishte mospërputhja që kanë dy të rinjtë. Pas këtij debati, Ogreni dhe Neda janë kthyer në shtëpi pa fjalë, duke bërë të qartë se marrëdhënia e tyre, e sapo lindur, u thye përfundimisht. Megjithatë, bashkëjetesa në të njëjtën shtëpi mund të na ofrojë edhe surpriza të reja në vazhdimësi…