E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Premtonin banesa sociale kundrejt parave në Durrës, SPAK: Pesë të arrestuar, tre detyrim paraqitje

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka proceduar penalisht 8 persona, të cilët premtonin dhënien e banesave sociale kundrejt shumave monetare, në qytetin e Durrësit.

Sipas SPAK, pesë prej tyre kishin ngritur një skemë përfitimi të paligjshme duke u prezantuar si punonjës me funksione drejtuese dhe vendimmarrëse në dhënien e disa banesave sociale që ndodheshin në zonën e Spitallës, Durrës kundrejt përfitimit të shumës prej 15,000 euro, e cila do të shërbente për bllokimin e banesës dhe dhënies së “kafeve” ndaj të tretëve. Ndërsa tre të tjerë si persona që kanë dhënë shumat monetare, me qëllim përfitimin e banesave sociale.

Personat Gëzim Sylaj, Vasil Karasaliu, Viola Mema, Behare Luzi, Enxhi Çelaj, Gazmend Panxha, Shyqyri Dema dhe Sokol Sylaj akuzohen për veprat penale: “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim dhe më tepër se një herë (sipas episodeve respektive); “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”; “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Kjo çështje është regjistruar më 6 nëntor 2024, përbri procedimit penal të vitit 2023, i cili nisi mbështetur mbi informacionin e prezantuar në emisionin investigativ ‘Fiks Fare’.

Skema e mashtrimit:

Skema është ngritur nga pesë personat në hetim, për të cilët GJKKO ka caktuar masën “arrest me burg”: Gëzim Sylaj, Vasil Karasaliu, Viola Mema, Behare Luzi, Enxhi Çelaj, të cilët, prezantoheshin si punonjës me funksione drejtuese në administratën shtetërore (drejtorë në Drejtorinë e Përgjithshme).

Personat e interesuar për banesa sociale, veç pagesës paraprake, do t’u dorëzonin të hetuarve dokumentacionin për procedurat standarde për përfitimin e banesës sociale. Më pas, personave të interesuar do t’u dërgohej një SMS konfirmimi nga ana e Bashkisë Durrës, periudhë kur sipas tyre do bëhej shpallja e fituesve ndërsa hyrja në banesë do të bëhej pas disa muajsh.

Nga tërësia e veprimeve hetimore, sipas SPAK ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se; personat nën hetim, në bashkëpunim mes tyre, në 4 episode të ndryshëm kanë kërkuar dhe marrë përfitimin e parregullt të shumave monetare  që variojnë nga 5 000 (pesë mijë) deri në 10 000 (dhjetë mijë) euro dhe si persona me funksione publike kanë ushtruar ndikimin e tyre të paligjshëm, për të mundësuar përfitimin e një banese sociale në Durrës.

Të hetuarit u dërgonin subjekteve të interesuar një SMS, përmes numrit të tyre të telefonit celular:

“Përshëndetje, Z./Znj…. Ju njoftojmë se fazën e parë të fitueses, për banesë sociale..e keni kaluar me sukses .Do njoftoheni për çdo gjë ne vazhdimësi-Me respekt nga bashkia-DURRËS”.

Për këtë procedim penal, SPAK ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimin e masave të sigurimit personal për 8(tetë) personat në hetim; ndaj 5 prej tyre, masën e sigurimit personal “arrest në burg” , si persona që krijuan skemën e përfitimit të paligjshëm, ndërsa ndaj Gazmend Panxha, Shyqyri Dema dhe Sokol Sylaj, masën “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, si persona që kanë dhënë shumat monetare me qëllim përfitimin e banesave sociale, të cilët nuk kanë depozituar kallëzim penal, dhe nuk kanë lidhur marrëveshje me policinë gjyqësore për veprimtarinë e paligjshme të dhënies së shumave monetare.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 17.11.2024 ka vendosur pranimin e kërkesave të prokurorisë, caktimin e masës të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” , për 5 persona nën hetim dhe caktimin e 3 masave të sigurimit personal “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.

Ky vendim është vënë në ekzekutim nga ana e Prokurorisë së Posaçme, duke angazhuar strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dhe më datë 19.11.2024, është bërë e mundur që të ekzekutohen masat e sigurimi personal për 6 (gjashtë) nga personat nën hetim Gëzim Sylaj, Vasil Karasaliu, Behare Luzi, Enxhi Çelaj, Gazmend Panxha, dhe Sokol Sylaj.

Deri në këto momente nuk është bërë e mundur ekzekutimi i masave të sigurimit personal të caktuar nga gjykata ndaj 2(dy) personave tjerë nën hetim Viola Mema dhe Shyqyr Dema, të cilët rezulton se prej disa kohësh janë larguar jashtë shtetit, të shpallur në kërkim.

Prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar edhe kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës, dhe nga policia gjyqësore janë ekzekutuar 8 (tetë) vendimet e gjykatës, si dhe janë realizuar kontrolle (banesash, automjetesh, dhe personash).

Pas kontrolleve të ushtruara janë sekuestruar sendet e mëposhtme: 2(dy) automjete BMW  X6 dhe VolksWagen Passat, 7(shtatë) aparate telefonash celularë, 1(një) armë e dyshuar pistoletë sportive, me ngjyrë të zezë, me mbishkrim Col 9 mm A.K dhe “BloW Magnum”, me krehër dhe 24 fishekë manovër.

Dokumente të ndryshme.

Hetimet rreth këtij procedimi penal vazhdojnë me administrimin e provave të tjera për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›