E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prençi: Droga kultivohet vetëm në vendet publike

Raporti i zyrës së OKB-së për drogat është cilësuar dje në një dalje të posaçme mediatike të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, si raporti më i mirë në vite për sa i përket Shqipërisë. Por, kreu i policisë shqiptare ka deklaruar duke u mbështetur në këtë raport, se droga tashmë po kultivohet në prona shtetërore, duke dashur të justifikojë mosidentifikimin e autorëve në disa raste. Në këtë raport, për sa i përket situatës së drogave, kultivimit dhe tranzitimit të tyre në rajonin e Ballkanit, Shqipëria përmendet dy herë.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit doli në një deklaratë për shtyp dje, duke uruar dhe duke bërë disa komente mbi raportin e zyrës së OKB-së për drogat, raport i cili është më i miri në vite për sa i përket Shqipërisë. "Në këtë raport, për sa i përket situatës së drogave, kultivimit dhe tranzitimit të tyre në rajonin e Ballkanit, vendi ynë përmendet vetëm dy herë, kur thuhet se kultivimi i kanabisit tashmë bëhet vetëm në ‘prona publike‘, pra prona të askujt dhe për sa u përket drogave të forta, raporti konfirmon se që nga viti 2007 kemi një devijim të rrugës së tranzitimit të drogës nëpërmjet Shqipërisë, ose siç thotë raporti, tashmë rruga tradicionale është ajo e Ballkanit Verior Turqi-Bullgari‘ Rumani-Hungari‘ dhe më pas Austri", deklaroi për mediat drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi.

Më tej, kreu i policisë shqiptare deklaroi se në ndryshim nga raportet e mëparshme, ku problematika e Shqipërisë ishte evidente në të gjithë këtë analizë konstatohet që problematika spostohet në vende perëndimore, si Spanja, Franca, Hungaria, Bullgaria, Rumania, Austria etj., të gjitha këto vende të BE-së në të cilat evidentohet një rritje e kultivimit, tregtimit, tranzitimit dhe konsumit të drogës. "Siç e kemi theksuar vazhdimisht, puna e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit në Shqipëri, kanë pasur dhe do të kenë prioritet kryesor luftën kundër drogës dhe trafiqeve të paligjshme për ta fshirë përfundimisht emrin e Shqipërisë nga harta e kultivimit, tranzitimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike", u shpreh me bindje, kreu i policisë. Ndërkaq, ai shpjegoi se në të ardhmen do të flitet edhe më pak për kultivimin e lëndëve narkotike në Shqipëri. "Për ta përfunduar, duhet të theksoj se ky raport është në vazhdën e vlerësimeve pozitive që kanë dhënë publikisht në Tiranë drejtori i përgjithshëm i Policisë Italiane, ministri britanik për Sigurinë, drejtori i FRONTEX dhe personalitete të tjera", përfundoi Prençi.

Raporti

Vendi ynë del nga harta për trafikun e drogës

OKB-ja: Shqipëria,

në linjën e dytë

Ballkani vazhdon të mbetet një rajon ideal për tranzitimin e drogës drejt Perëndimit. Ky fakt nënvizohet në raportin e fundit të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për luftën kundër drogës, ndërkohë që Shqipëria është cilësuar si e linjës së dytë. Sipas raportit në fjalë, dikur Ballkani njihej si vatër krimi dhe dhune, kjo lidhur me imazhin që lanë luftërat në ish-Jugosllavi dhe tranzicioni nga komunizmi. Por, tani ekspertët e Agjencisë së OKB-së për luftën kundër drogës, e vlerësojnë si një zonë të gjallë të trafikut të lëndëve narkotike, sidomos kokainës, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të ri në këtë fushë. Raporti citon se rreth 100 tonë heroinë kalojnë nga ky rajon çdo vit. Sa i përket Shqipërisë, në raportin e OKB-së për luftën kundër drogës, ajo përmendet në të ashtuquajturën "rruga e Ballkanit Jugor", së bashku me Greqinë, krahas linjës Maqedoni-Itali. Ndërsa rruga e Ballkanit Verior, sipas këtij raporti, kalon përmes Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë dhe Austrisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›