Kompensimi, 20 mijë ha tokë bujqësore për ish-pronarët
Rreth 20 mijë hektarë tokë bujqësore do të vihen në dispozicion të ish-pronarëve për procesin e kompensimit dhe kthimit të pronës. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit deklaroi dje zyrtarisht se janë marrë të gjitha masat për të rritur fondin fizik. Bazuar në ligjin 7501, datë 19.7.1991 dhe në ligjin 8053, datë 21.12.1995, në Shqipëri është realizuar ndarja e tokës së ish-kooperativave dhe të ish-ndërmarrjeve bujqësore. Viti 1991 e ka gjetur Shqipërinë me 700 mijë ha tokë bujqësore. Plot 560 mijë ha tokë është ndarë dhe dhënë në pronësi nga tokat e ish-kooperativave bujqësore dhe ish-ndërmarrjeve bujqësore. Rreth 10 mijë ha tokë janë të dhëna në përdorim. "Përpjekja për dy vite rresht është bërë për të vendosur për kthimin e këtyre tokave pjesërisht në pronësi dhe pjesa tjetër për kompensim fizik për ish-pronarët. Ky projektligj nuk është pranuar nga grupi parlamentar i PS-së dhe ky projektligj është në Kuvend", është shprehur dje njëri nga anëtarët e kabinetit të ministrit Gjana. Sipas tij, rreth 20 mijë hektar janë toka në pronësi të shtetit, që sipas vendimit të qeverisë do të shkojnë për kompensim fizik të ish-pronarëve. Nga këto 20 mijë ha tokë, 17350 ha tashmë kanë kaluar në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe pjesa tjetër është në proces kalimi. Në total, rreth 110 mijë ha tokë janë toka bujqësore të ish-kooperativave bujqësorë, ose toka të refuzuara. Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë i hodhi poshtë pretendimet e Partisë Socialiste se po abuzohet me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronës, duke iu referuar edhe ligjit të vitit 1991, për ndarjen e tokës për fshatarin. Sipas ministrisë, komisionet që janë krijuar në prefektura janë në proces të verifikimit të këtyre abuzimeve. Kurse sipërfaqet e pandara prej 110 mijë ha tokë, që janë pasuri publike, bazuar në ligjet e vendit do të jepen për koncesione, me qira etj., për çdo rast që ka interes, do t‘u jepen sipërmarrësve privatë vendas, apo të huaj.