Baraj: Pronat, qeveria t‘i japë zgjidhje
Reforma e tokës bujqësore, e cila ka qenë në rendin e ditës që në vitin 1991, ende mbetet një nga problemet më të mëdha, duke u bërë pengesë në zhvillimin ekonomik të vendit. Pas më shumë se 18 vjetësh të ndarjes së tokës sipas ligjit, bujqit nuk janë ende pronarë të ligjshëm në tokën e tyre. Ndërkaq, qeveria vazhdon të mos i përmbushë detyrimet e saj kontraktuale me qytetarët shqiptarë, jo vetëm duke mos i dhënë rrugëzgjidhje procesit, por përkundrazi duke e penguar e futur në një konfuzion akoma më të madh, edhe pse në fushatën elektorale të vitit 2005 u premtoi shqiptarëve se do ta zgjidhte këtë hallkë kritike të ekonomisë sonë. Kjo është një pjesë e panoramës së paraqitur dje nga Besnik Baraj, sekretar për mjedisin në PS. Sipas tij, qeveria duhet të marrë masat e menjëhershme për ta mbyllur sa më shpejt procesin e kthimit dhe kompensimit të pronës.