E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prençi: Ju rrëfej 40 sekondat e operacionit për kapjen e Dajtit, na ka ikur dhjetëra herë

 

Fatos Mahmutaj

“Sapo morëm informacion të vlefshëm në lidhje me Dritan Dajtin prej njerëzve tanë të terrenit, nisëm në mënyrë urgjente grupin special të agjentëve, të cilët brenda një kohe shumë të shkurtër lokalizuan vendndodhjen e tij, ndërsa survejoheshin në distancë lëvizjet”. Ahmet Prençi, kreu i Policisë së Shtetit pohoi dje në një rrëfim ekskluziv për “Panorama” se plani për arrestimin e Dajtit ishte organizuar më së miri nga Grupi i Operacioneve Speciale para se të ndërhyhej, ndërkohë që Prençi insiston se nuk ka pasur rrjedhje informacioni. Sipas kryepolicit shqiptar, edhe pse në rreth 80% të rasteve operacionet e GOS-it kryhen me urdhra verbalë, në rastin konkret operacioni është kryer me urdhër të rregullt, praktika e të cilit është e dokumentuar. Pasi Dritan Dajti u pikas në Tiranë, ishte ndjekur drejt Kavajës e më pas drejt Durrësit, ndërsa u vlerësua se momenti më i përshtatshëm për të ndërhyrë do të ishte koha kur të ndalohej makina dhe do të zbriste që andej i shumëkërkuari. Duke hedhur poshtë pretendimet e kriminelit se kishte qëlluar ngaqë policët ishin të maskuar dhe pa uniforma, Prençi tha se përkundrazi policët kishin veshur të gjithë bluza me mbishkrimin policia, në gjoks dhe në shpatulla. Sipas tij ato janë bluza praktike që vishen me shpejtësi në momentin e fillimit të operacionit. Të paktën sipas Prençit, oficeri Kastriot Feskaj, i cili u qëllua pas shpine nga Dajti, pasi i kishte kapur nipin, mbante të veshur një bluzë të tillë. Duke treguar me detaje operacionin, kryepolici pohoi se i pari ishte qëlluar prej Dajtit, drejtuesi i operacionit Fatos Xhani e pas tij Altin Dizdari. Më pas Kastriot Feskaj dhe i fundit Saimir Duçkallari. Prençi rrëfen se gjithë “beteja” që u kushtoi jetën katër policëve nuk ka zgjatur më tepër se 40 sekonda. Pas kësaj, grupi i policëve ka ndërhyrë me shpejtësi dhe e ka vënë në pranga të shumëkërkuarin. I pyetur pse pikërisht u zgjodh zona e plazhit të Durrësit, në pikun e mbipopullimit për të ndërhyrë në arrestimin e Dajtit, Prençi tha se gjithçka e kishte vendosur drejtuesi i operacionit në terren, Fatos Xhani, i cili u vra i pari prej Dajtit.
Krimet e Dajtit
Drejtori i Policisë pohoi se gjatë gjashtë viteve në arrati Dajti e ka plotësuar “CV”-në e tij kriminale me vrasje, trafiqe dhe gjobëvënie të ndryshme. Aktualisht për këto vepra ndaj tij nuk kishte mbërritur asnjë denoncim, ndërsa policia dispononte informacione të plota dhe të sigurta, të cilat do ia vinte në dispozicion organit të akuzës së Krimeve të Rënda. “Prokurorisë do t’i ofrojmë gjithçka në lidhje me çështjen e Dritan Dajtit. Aktualisht i kam vënë në dispozicion të gjithë kapacitetin hetimor të policisë”, pohoi Prençi, duke shtuar se blutë po punonin në mënyrë intensive për hetimin sa më të plotë të ngjarjes së rëndë të ekzekutimit të katër policëve në Durrës. I pyetur për faktin e dështimit të dy operacioneve për arrestimin e Dajtit, një në portin e Durrësit dhe një në qytetin e Fierit kur arriti t’i shpëtojë RENEA-s, Prençi tha se këto nuk janë të vetmet raste, pasi gjatë gjashtë viteve 38-vjeçari Dajti ka arritur t’iu rrëshqasë policëve me dhjetëra herë.
“spiunet” ne polici
Ndërkohë, i pyetur për lidhje të mundshme të Dajtit me efektivë apo funksionarë të policisë shqiptare, kreu i bluve, Prençi pohoi se gjithçka do të sqarohej pasi të ekspertoheshin 10 celularët që i ishin gjetur Dajtit në momentin e arrestimit. Kryepolici tha gjithashtu, se institucioni që ai drejton ka interes për të mësuar nëse Dajti ka komunikuar me ndonjë punonjës policie. Nëse kjo do të vërtetohet me prova shkresore, sipas Prençit, do të merren masa të menjëhershme ndaj punonjësve të policisë, ku më e pakta do të jetë lirimi i tyre nga detyra. Në lidhje me dokumentin e policisë që posedonte dhe përdorte Dajti, i cili iu gjet në momentin arrestimit, Prençi pohoi se ai ishte i falsifikuar. Kurse për pasaportën, nuk dihet ende nëse Dajti qarkullonte, jashtë shtetit me pasaportë të falsifikuar, apo dokumenti ishte lëshuar në ndonjë nga komisariatet e vendit. “Kunati i Dajtit nuk ka qëlluar ndaj policëve, të katër efektivët blu, si dhe nipi i tij Mara janë vrarë prej tij”, tha Prençi. I pyetur nëse do të lejonte kryerjen e operacioneve të tilla, ndaj personave të rrezikshëm në të ardhmen, duke u nisur nga kostot e aksionit të së premtes, Prençi tha: “Natyrisht që po. Kjo është puna e policisë, të përballet me krimin. Po të jem në detyrë dhe nëse puna do ta kërkojë një operacion të tillë, sigurisht që do e lejoj të kryhet”. Në lidhje me akuzat që opozita ka ngritur ndaj Policisë së Shtetit për keqorganizim të këtij operacioni dhe kërkesat për dorëheqje të funksionarëve blu dhe ministrit të Brendshëm, Prençi pohoi se nuk iu përgjigjet akuzave politike. Në fund, kreu i policisë shqiptare tha se kishte konsideratën më të lartë për strukturën e GOS-it, e cila, sipas tij ishte e përbërë nga efektivët më të mirë të policisë shqiptare. “Janë bërë me dhjetëra reforma dhe kjo strukturë nuk është prekur”, tha Prençi, duke shtuar se fakt për këtë ishte kapja e një numri të konsiderueshëm personash të shumëkërkuar. Për të vlerësuar aktin e vetëmohimit të katër efektivëve të policisë, Prençi kishte firmosur sipas ligjit nga gjashtë rroga shpërblim për secilin, ndërsa pritej që Qqeveria me anë të VKM-ve, t’u akordonte ndihmë ekonomike familjeve të tyre.

Vrasja e policëve, ambasadorja britanike ngushëllon Nishanin
TIRANE - Ambasadorja Britanike në Tiranë, Zonja Fiona McIlwham, zhvilloi gjatë pasdites së djeshme takime me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, zëvendësin e tij Gent Strazimiri, dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. Gjatë takimeve, ambasadorja shprehu ngushëllimet e saj më të sinqerta për vdekjen e 4 oficerëve të policisë, të premten, më 7 gusht në Durrës. Ambasadorja gjithashtu, bëri të ditur se Mbretëria e Bashkuar do vazhdojë të jetë përkrah Shqipërisë në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar. Ajo shprehu mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për policinë shqiptare dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit në kryerjen e misionit të tyre vështirë, duke përfshirë detyrën aktuale të hetimit të incidentit në Durrës.

Gruaja e Dajtit, nuk lejohet në gjyq, ndjek procesin nga jashtë
TIRANE – Dorela Dajti, bashkëshortja e Dritan Dajtit ndodhej dje përpara portës së Gjykatës për Krimet e Rënda. Gjatë kohës në të cilën gjykata po caktonte masën e sigurisë në ngarkim të bashkëshortit ajo qëndroi për disa momente e vetmuar para portës, më pas ajo u largua prej policisë së bashku me personat e tjerë gjatë kohës që në gjykatë zhvilloheshin masat e sigurisë. Gjatë ditës së djeshme nuk është vënë re prania e familjarëve të Dritan Dajtit në gjykatë. Ende nuk dihet arsyeja por të paktën gjykata vendosi që të zhvillonte seancën pa praninë e mediave dhe familjarëve, duke “mbyllur dyert” në këtë mënyrë për të gjithë të interesuarit. Pasi kaluan pak kohë nga fillimi i seancës bashkëshortja e Dajtit dhe personat që e shoqëronin atë u përzunë nga policia edhe nga territori i jashtëm i gjykatës.

Lirohet, “bashkëpunëtori”, u arrestua gabimisht
TIRANE – Gjykata e Tiranës ka liruar dje Elvis Karolin, të arrestuar pak ditë më parë pas dyshimeve se ai ishte bashkëpunëtor i Dritan Dajtit. Togat e zeza të gjykatës së kryeqytetit vendosën masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për të. Në fakt ka qenë vetë organi i akuzës ai që ka kërkuar një masë të tillë sigurie për Karolin, për shkak se nuk zotëroheshin prova të mjaftueshme për caktimin ndaj tij të një mase më të rëndë sigurie. Bëhet e ditur se vetë Karoli, gjatë seancës ka pranuar faktin se kishte njohje me Dritan Dajtin, por se nuk kishte lidhje me veprimtarinë e tij kriminale. Elvis Karoli u arrestua disa orë pas ngjarjes, ku u vranë 4 punonjësit e policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Saimir Duçkallari dhe Kastriot Feska. Gjatë kontrollit në banesën e tij në zonën pranë Liqenit Artificial në kryeqytet policia gjeti dhe sekuestroi 7 fishekë, dy detonatorëve dhe 2 palë dylbi.                                            a.b

Ndihmoi Dajtin, burg pa afat kunatit
TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda la në qeli deri në përfundim të hetimeve, Ergest Xhoxhin, kunatin e Dritan Dajtit. I arrestuar nga policia ditën e ngjarjes së rëndë në qytetin e Durrësit, Xhoxhi u paraqit para Gjykatës për Krimet e Rënda në orën 09:00 të ditës së djeshme. Burime brenda seancës bënë të ditur se Xhoxhi nuk kishte pranuar të fliste. Sipas burimeve, gjatë gjithë kohës së zhvillimit të seancës ai ka qenë shumë i stresuar dhe i shpërqendruar. Pas njohjes me pretendimet e palëve në proces, gjykatësja Marsela Balili, ka pranuar kërkesën e organit të akuzës, për caktimin e masës “arrest me burg” për Xhoxhin. Ergest Xhoxhi, u arrestuar nga policia pak minuta pas ngjarjes të së premtes. Ai pësoi plagë të lehta gjatë arrestimit pasi për neutralizimin e tij, ai u përplas fillimisht nga parakolpi i një automjeti. Mbi të rëndon akuza e “përkrahjes së autorit të krimit”. a.b.

Masakra, Dajti: Donin të më vrisnin

Armand Bajrami

Mbase nuk e kishte menduar ndonjëherë, që pas arratisë spektakolare prej sallës së gjyqit të Krimeve të Rënda gjashtë vjet më parë do të kthehej sërish aty, por këtë radhë në një barelë spitali.
Dritan Dajti, personi i akuzuar për ekzekutimin e katër policëve pak ditë më parë në Durrës ka mbërritur i plagosur në bordin e një autoambulance dje në Gjykatën për Krimet e Rënda, për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij. Gjykata për Krimet e Rënda, pasi dëgjoi pretendimet e palëve në proces vendosi lënien e Dajtit në masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” deri në përfundim të hetimeve për ngjarjen. I akuzuar për vrasjen e katër oficerëve të GOS, Fatos Xhani, Saimir Duçkallari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feska, Dajti nuk ka ngurruar t’i kundërpërgjigjet akuzës duke pretenduar dje se policët kishin dashur ta vrisnin. Po dje, në të njëjtën gjykatë u paraqit për caktimin e masës së sigurisë edhe i pandehuri Ergest Xhoxhi, kunati i tij, i arrestuar nga policia për përkrahje të tij në përballjen me forcat e rendit.
Seanca
Nën masa tepër të rrepta sigurie pak pas orës 09:30 Dritan Dajti u paraqit dje në kafazin e hekurt të sallës së gjyqit numër një në Gjykatën për Krimet e Rënda. I pozicionuar në një barelë, për shkak të plagëve të plumbave në trup ai është njohur me akuzat e ngritura ndaj tij nga dy prokurorët e çështjes Ardian Nezha dhe Eugen Beci. Për shkak të mosparaqitjes së avokatëve të kërkuar prej tij, Gjykata vendosi si mbrojtës kryesisht të tij avokatin Remzi Ponari. Referuar pohimeve të avokatit, në një prononcim të tij për mediat pas përfundimit të seancës, seanca e djeshme është zhvilluar në kushte normale. “I pandehuri u soll në barelë, i shoqëruar me personel mjekësor”, sqaroi avokati Ponari. Po sipas avokatit, i pandehuri Dajti nuk kishte pranuar dje të jepte sqarime në lidhje me ngjarjen që përfundoi me pesë të vdekur, katër prej të cilëve punonjës policie. “Në momentin e arrestimit ai dha një sqarim sikur “kanë dashur të më vrasin”, por kjo ishte në kushtet e deklarimit, pa dhënë asnjë lloj prove”, tha Ponari. Gjithashtu, në seancën që zgjati rreth dy orë, janë verifikuar plagët në trupin e Dajtit. Në përfundim të seancë gjykata, caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Dajtin për akuzat e “vrasjes për shkak të cilësive të veçanta, më shumë se një herë” dhe “mbajtjen pa leje të armëve dhe municioneve dhe të mjeteve policore”
Siguria
Arratia e 6 viteve më parë nuk mund të përsëritej asesi dje në Gjykatën për Krimet e Rënda. Në supermasa sigurie, Dritan Dajti u soll në ambientet e gjykatës rreth orës 9:30. Autoambulanca që realizoi sjelljen e tij nga spitali i Burgut, ku qëndron aktualisht, deri në gjykatë ishte e shoqëruar nga 3 furgonë të forcave speciale policore. Të armatosur deri në dhëmbë ata “pastruan” territorin rreth gjykatës duke mos lejuar askënd të afrohej deri në një rreze prej 4 metrash përtej rrethimit të gjykatës. I pranishëm, për të mbajtur sigurinë nën kontroll ishte edhe Gjergji Jorgo, zëvendës drejtori i Policisë së Tiranës, për rendin dhe ruajtjen e qetësisë publike. Urdhri vlente edhe për përfaqësuesit e medias, të cilët nuk u lejuan të afrohen. Autoambulanca në të cilën qëndronte i shtrirë Dritan Dajti prihej nga dy furgonë policie dhe ndiqej nga një tjetër. Gjatë hyrjes dhe daljes së saj nga gjykata, nga një xham gjysmë transparent i saj mund të shquheshin vetëm trupat e policëve të veshur me antiplumb, të ulur në të dy anët e barelës ku ndodhej Dajti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›