E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të pastrehët, si do ndahen 800 banesa

 

Fabiola Çela

Rreth 800 apartamente do të jepen me kredi 3 për qind për familjet e pastreha në vend. Në bazë të një udhëzimi të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, është përcaktuar formula e ndarjes së apartamenteve si dhe përfituesit e këtij programi. Por për këtë kategori të pastrehësh interesi i kredisë do të jetë 3 për qind.
Projekti
Janë bashkitë dhe komunat, institucionet përkatëse që do të hartojnë listat me emrat e qytetarëve të pastrehë që do të përfitojnë nga ky program i qeverisë. Familjet që përfitojnë nga programi i banesave me kosto të ulëta, por edhe nga banesat sociale me qira, miratohen nga Këshilli Bashkiak. Sektori përkatës kryen njoftimin e familjeve përfituese dhe publikon listën, pasi të jetë kryer miratimi. Familjet e pastreha, familjet që banojnë me qira dhe janë nën nivelin minimal të jetesës, familjet me një person me aftësi të kufizuar në familje, jetimët nën 30 vjeç dhe çiftet e reja me të ardhura të ulëta, kur mosha e të dyve bashkë është nën 55 vjeç, janë disa nga kategoritë përfituese. Sipas burimeve nga Enti Kombëtar i Banesave, deri më tani Bashkia e Gjirokastrës i ka dërguar listat e para të qytetarëve të pastrehë që përfitojnë nga ky program. Listat janë dërguar pranë bankës kombëtare tregtare. Ndërkohë banka i kërkon qytetarit një dokument me anë të së cilit qytetari vërteton se ka të ardhura të mjaftueshme për të paguar këstet mujore të bankës. Kredia mund të jepet vetëm në lekë dhe afati i shlyerjes së kredisë është 30 vjet. Në total janë 800 apartamente. Nga këto, 250 janë vetëm për Bashkinë e Tiranës, për të Durrësit janë 150 po aq edhe për Shkodrën. Gjithsej janë 7 bashki që janë të përfshira në këtë projekt. Ndërkohë që vetëm Bashkia e Gjirokastrës i ka dërguar listat me emrat e personave të pastrehë në bankë, ndërsa bashkitë e tjera janë në proces e sipër. Sipas udhëzimit të Ministrisë, i cili tashmë ka hyrë në fuqi, kontrata e kredisë që do të lidhë qytetari do të jetë fikse për pjesën që i takon qytetarit, ndërsa luhatjet e interesit të bono thesarit janë në ngarkim të buxhetit të shtetit. Lidhur me pjesën e kolateralit, mbulimi me 140% do të thotë që, nëse familja vë në hipotekë vetëm apartamentin që do të blejë, atëherë ajo duhet të bëjë një pagesë të menjëhershme të barazvlefshme me 40% të vlerës së banesës. Nëse familja nuk disponon këtë shumë, ajo mund të vërë si kolateral një pronë me një vlerë më të madhe dhe të bëjë një pagesë të menjëhershme prej 20% të vlerës së banesës që po blen. Megjithatë këto janë rregulla të përgjithshme dhe BKT do të aplikojë sipas rastit dhe besueshmërisë së klientit rregulla më fleksibël. Ndërsa për sa i përket vlerës së banesës, ajo mund të ndryshojë nga çmimi me të cilin është ofruar për shitje. Çmimi maksimal me të cilin një familje mund të blejë banesën në tregun e lirë, në zbatim të këtij projekti, nuk mund të jetë më i lartë se ai i përcaktuar në udhëzim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›