Prençi: Në Bulqizë do ndodhë katastrofa nga shfrytëzimi i mafias së Nishanit e Kuliçit. PD: Prençi, njeri i Topit
Ish- drejtori i Policisë së Dibrës, drejtuesi i parë, Shemsi Prençi, nuk resht së denoncuari. Ai thotë se prokuroria ka kohë për të hetuar atë që ka denoncuar ai publikisht. Prençi thotë për Shekulli se ka bërë çdo denoncim përkatës në Prokurorinë e Dibrës dhe në Prokurorinë e Përgjithshme për atë që e quan mafia e kromit.
Nuk do të jetë e vonë dita që pasojat e këtij denoncimi do të jenë katastrofike për këtë vend. Në Bulqizë, për shkak të shfrytëzimit të paligjshëm të minierës do të ndodhë katastrofa. Çdo qytetar i Bulqizës jeton mbi mina, një tragjedi që oshtin nga thellësia 1600 metra dhe kjo është një kambanë alarmi për ata që kanë veshë, tha Prençi.
Ai thotë se është përjashtuar nga policia sepse ka gjetur gjurmët e implikimit të Bujar Nishanit, Hysni Burgajt, Agron Kuliçit, Avenir Pekës dhe Astrit Halilit, kreut të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Prençi thotë se është dorëzuar nga ushtrimi i detyrës së drejtorit, por jo nga misioni i tij.
Prençi thotë se ka lëvizur nga puna ata njerëz që Drejtori i Përgjithshëm i policisë dhe strukturat e mafias i kishin kthyer në gurë kilometrikë për të vjedhur kromin në Bulqizë.
Drejtori i Përgjithshëm nuk ka kurajën qytetare dhe as zyrtare për të më komunikuar masat administrative ndaj meje. E kuptoj se Burgaj dhe Ministria e Brendshme janë shumë të trazuar nga deklaratat e mia. Ata janë të trazuar për shkak të veprimtarisë kriminale në të cilën notojnë Bujar Nishani, Hysni Burgaj, Agron Kuliçi, Avenir Peka, Astrit Halili dhe kaluari në vertikale që ata kanë instaluar për të grabitur pasurinë shtetërore, tha Prençi.
Ndërkohë në Komisionin e Integrimit, deputeti demokrat, Rrahim Çota, ka akuzuar se Shemsi Prençi është njeri i Bamir Topit. Shkoni atje ku bëhet takimi sot se atë që ka qenë te Policia e Shtetit, e keni anëtar atje, tha Çota.