Prendit i komunikohet masa e sigurisë, Av: Do ndjekim hapat ligjorë

Gjykata Penale pas komunikimit të masës së sigurisë për shefin e IT-së të kryeministrisë Armando Kasaj, ndaj të cilit dy ditë më parë u morr masa “arrest shtëpie” i ka komunikuar masën e sigurisë edhe ish-Komandantit të Gardës Ndrea Prendi dhe shoferit të tij, Margarit Kume, ndaj të cilëve është vendosur po “arrest shtëpie”. Pas kësaj procedure ka reaguar dhe avokati i Prendit duke u shprehur se u është komunikuar kopja e vendimit të Gjykatës dhe se do të ndiqen hapat ligjorë lidhur me këtë cështje.
Në akuzën e ngritur nga Prokuroria, Ndrea Prendi ka konsumuar veprën penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim si dhe ka shpërdoruar detyrën. Ndërsa për shoferin e komandantit të gardës, Margarit Kume, prokuroria thekson se ai duke dashur të ndihmojë për të shmangur nga përgjegjësia ligjore Ndrea Prendin e ka ndryshuar tytën e pistoletës me të eprorit.
Dy ditë më parë Gjykata e Tiranës, ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për të tre këta persona ndërsa Prokuroria po grumbullon dokumenta shtesë për të forcuar qëndrimin e saj për të siguruar nga gjykata e apelit dërgimin e të pandehurve nga arrest shtëpiak në arrest me burg.