E Diel, 1 Nëntor 2026

Prenotim njëmujor për kasën fiskale me parapagim

Hije dyshimi për një aferë shtet-privat. Zyra që merr pagesën për çdo kasë ‘bëhet garante” e mosndëshkimit nga tatimet

“Odiseja” e kasave fiskale vazhdon ende. Ajo po shndërrohet në një arsye për ndëshkime të herëpashershme për biznesin dhe sidomos për subjektet e kompanitë shqiptare. Kohët e fundit, në takimin që përfaqësuesit e biznesit marrin me inspektorët e tatimeve apo zyrat lokale dhe ato të Drejtorisë së Përgjithshme, prej tyre u sugjerohet vetëm një kompani që ka “monopolin” e shpërndarjes së kasave fiskale. Numri zyrtar i kontaktit me këta shpërndarës dihet përmendësh prej çdo tatimori. Por pajisja e tatimpaguesit me kasë nuk është kaq e thjeshtë. Në telefonin që duhet të kontaktosh për kërkesën për kasë, të lihet normalisht një muaj kohë për porosinë dhe pajisjen me kasë. Gjatë kësaj kohe, në këtë zyrë bëhen garant të mospenalizimit financiar prej tatimeve. Ndërkohë që vlefta e parapagimit të një kase është diku tek 50 mijë lekë të reja. Një kompani që zotëron shumë dyqane, duhet të parapaguajë disa milionë lekë të vjetra për t’i marrë kasat pas një muaji.

E gjitha kjo praktikë që i sugjerohet çdo biznesmeni apo subjekti në mënyrë verbale, përbën një aferë tipike bashkëpunimi mes një subjekti privat dhe administratës fiskale e financiare të vendit. Bëhet fjalë për përfitim të disa miliarda lekëve dhe për shmangie prej një afati njëmujor nga ndëshkimi apo kontrolli financiar i tatimeve. Shumëkush e di se çështja e kasave fiskale është një “kalvar” më vete për biznesin e sidomos për biznesin e madh. Disa herë për shkaqe të sigurisë, janë ndryshuar modelet dhe ofertat e raportuara në Këshillin e Ministrave. Sikundër kjo procedurë në kaq kohë ka penalizuar me të drejtë dhe pa të drejtë dhjetëra e qindra subjekte, kompani e ndërmarrje biznesi në të gjithë vendin. Administrata tatimore ka ashpërsuar masat ndaj biznesit që nuk është pajisur me kasa, duke pesëfishuar gjobat për subjektet që nuk i vendosin ato. Ndërkohë që tashmë kur është përcaktuar se cila kompani do ta ketë këtë monopol, shteti po futet në ortakëri informale, për të marrë paradhënie privati pagesën disa milionë euroshe për kasat që duhet sipas ligjit t’i ketë çdo subjekt.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›