E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pres edhe fitoren”

Autori i Lajmit: red.
“Kundër Suedisë, Shqipëria duhet të hyjë me mentalitet fituesi. Nuk kemi pse ta nisim si inferiorë kundër Ibrahimoviçit më shokë”. Ky është mendimi i ish-kapitenit të Kombëtares, menaxherit të njohur Rudi Vata, i cili ishte i pranishëm në ndeshjen Partizani-Vllaznia (1-2) në shoqërinë e futbollistit Uliks Kotrri. “Jam i bindur se trajneri Ari Han do të dijë ta përgatisë skuadrën tonë kombëtare në ndeshjen më të shumëpritur për tifozerinë shqiptare. Të gjithë duam ta fillojmë në mos me fitore, me pikë. E kemi bërë me Zvicrën (Euro 2004) e Greqinë (Botërori 2006) në Tiranë, por dhe me Bjellorusinë (Euro 2008) në transfertë”. Vata ka ndjekur përmes televizionit edhe takimin miqësor kundër Lihtenshtejnit (2-0). “Ishte normale që pas dy golave të shpejtë ndaj një skuadre modeste si Lihtenshtejni, ritmi do të binte, pasi dhe impenjimi maksimal në këto sfida është vështirë të arrihet”. Shqipëria ka bërë ndeshje të bukura ndaj ekipeve të mëdha. Vata shton: “Unë mendoj se lojtarët tanë, të cilët luajnë në kampionate të rëndësishme europiane, do të dinë të gjejnë motivimin e duhur përballë emrave të mëdhenj që ka Suedia” “Shqipëria e ka treguar gjithmonë se ndaj skuadrave të mëdha luan si kundërshtare e denjë. Unë jam i bindur se mund të dalim me pikë ndaj Suedisë, për më tepër që luajmë në Qemal Stafa . Më besoni, tifozeria të jep shumë forcë”. Katër ditë pas ndeshjes së Suedisë vjen një sfidë e lehtë në letër, ajo kundër Maltës (10 shtator). “Do të më pëlqente që Shqipëria të vinte në këtë takim pas një rezultati pozitiv me Suedinë, pasi dhe stadiumi do të kishte shumë shikues. Fitorja? Një kundërshtar i lehtë në letër, por duhet të jemi të kujdesshëm, pasi të gjithë kërkojnë pikë sot”, -përfundoi Vata.
Ky lajm është publikuar: 01/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›