E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, dy të vdekur në rrugët e Tepelenës

Fatkeqësia/ Në automjetin tip "Benz" po udhëtonin tre vetë mes të cilëve edhe tre fëmijë të mitur. Vdes drejtuesi


Burimet zyrtare të policisë u shprehën se shkak për ngjarjen ka qenë humbja e kontrollit të mjetit nga drejtuesi


TEPELENË- Dy të vdekur e gjashtë të plagosur është bilanci tragjik i një aksidenti të rëndë rrugor në rrethin e Tepelenës, i regjistruar dje. Për shkak të humbjes së kontrollit nga ana e drejtuesit, automjeti në të cilin udhëtonin tetë vetë është batuar disa herë për rreth 150 metra.


Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:00 të së enjtes në aksin rural Tepelenë- Komuna Lopës në afërsi të fshatit Dhëmblan. Mësohet se automjeti tip "Benz" me targë TR 5830 C ka dalë nga rruga.

Ka qenë një bari i zonës, që ka parë aksidentin dhe ka njoftuar uniformat blu. Në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur forcat e policisë, ku ka rezultuar se automjeti që drejtohej nga shtetasi Zigur Tafilaj, 33 vjeç, nga fshati Dhëmblan i rrethit Tepelenë, ka dalë nga rruga, duke u batuar në faqen e malit disa herë, rreth 150 metra dhe ka mbetur në një lëndinë.


Si pasojë e plagëve të marra, kanë gjetur vdekjen e menjëhershme 33- vjeçari Zigur Tafilaj, drejtuesi i automjetit si dhe 31- vjeçarja Shaze Hadëraj, po nga fshati Dhëmblan, e cila ishte pasagjere.


Ndërkaq, të plagosur kanë mbetur edhe 6 të tjerët, ndërmjet të cilëve bashkëshortja dhe djali i pasagjerit, 3 anëtarë të familjes Lila, si dhe një 15- vjeçare nga Fieri. Mendohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të humbjes së kontrollit nga ana e drejtuesit të tij.


Gjithsesi, nga ana e policisë bëhet e ditur vetëm se automjeti nuk ka qenë me shpejtësi të madhe, pa dhënë më tepër detaje lidhur me shkaqet që e çuan drejtuesin në humbjen e kontrollit.


"Nga spitali i Tepelenës janë paraqitur 6 pacientë të aksidentuar, prej të cilëve një fëmijë 1 vjeç e gjysmë më rëndë se të tjerët, me dëmtime në kokë si dhe një 30- vjeçare po në gjendje të rëndë, me dëmtime në kokë.


Të dy këta pacientë janë dërguar me helikopter drejt Spitalit Ushtarak, ndërsa katër pacientët e tjerë kanë plagë dhe fraktura, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën", është shprehur mjeku kirurg, njëkohësisht nëndrejtor i spitalit rajonal Gjirokastër, Arben Kuro. Rreth orës 17:30 dy të plagosurit në gjendje kritike për jetën, Ronaldo Tafilaj, një vjeç e gjysmë, dhe Yllka Tafilaj, 30 vjeç, përkatësisht djali dhe bashkëshortja e drejtuesit të automjetit që humbi jetën, janë transportuar me helikopter drejt Spitalit Ushtarak për të marrë ndihmë më të specializuar mjekësore.


Entela Kaso
Të plagosurit:
1. Yllka Tafilaj ,30 vjeç, bashkëshortja e drejtuesit të mjetit
2. Ronaldo Tafilaj, 1,5 vjeç, djali i drejtuesit të automjetit
3. Aurela Lila, 27 vjeç nga Dhëmblani i rrethit Tepelenë
4. Franko Lila, 6 vjeç, djali i Aurela Lilës
5. Neri Lila, 2 vjeçe, djali i Aurela Lilës
6. Resilda Bilaj, 15 vjeçe, nga Fieri

Të vdekur:
Zigur Tafilaj, 33 vjeç
Shaze Hadëraj, 31 vjeç

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›