E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca: Ja kriteret e reja për falje

Presidenca përcakton kriteret e reja për të gjithë të dënuarit që përfitojnë falje në fund të këtij viti. Gazeta ka mundur të sigurojë dokumentin e plotë të përgatitur nga zyra juridike e Presidentit Bamir Topi, nga ku përcaktohen qartë procedurat e faljes presidenciale. Në rast se në paketën e kritereve të një viti më parë, kishte kufizime për falje, pasi jo çdo i burgosur mund të kërkonte falje, këtë herë, ligji nuk përjashton asnjë të dënuar, pavarësisht nga lloji i veprës penale për të cilën është dënuar, që të kërkojë nga Presidenti i Republikës faljen e dënimit ose zëvendësimin e tij.

Janë një sërë dokumentesh, ndryshe nga ato të viteve të kaluara, të cilat nisin me kërkesën për falje nënshkruar nga i dënuari ose familjarët e tij drejtuar Presidentit të Republikës. Në këtë kërkesë duhet të jepen domosdoshmërish të dhëna lidhur me veprën penale për të cilën është dënuar personi, numrin dhe datën e vendimit gjyqësor, gjykatën që e ka dhënë vendimin, dënimin e dhënë ndaj tij nga gjykata, datën e arrestimit, masën e dënimit të vuajtur deri në atë moment, si dhe dënimin e mbetur, gjendjen familjare, shëndetësore të të dënuarit dhe arsyen pse kërkohet falja. Ligji nuk përjashton asnjë të dënuar, pavarësisht nga lloji i veprës penale për të cilën është dënuar, që të kërkojë nga Presidenti i Republikës faljen e dënimit ose zëvendësimin e tij. Një tjetër kërkesë është vendimi gjyqësor i formës së prerë lidhur me dënimin e tij (vendimi i gjykatës së rrethit, ku pasqyrohen të gjitha ndryshimet që ka pësuar ky vendim në shkallë të ndryshme të gjyqësorit). Përveç kësaj, kërkohet certifikatë lindjeje dhe certifikatë familjare e të dënuarit. Dhe dokumenti tjetër ka të bëjë me dëshminë e penalitetit të të dënuarit. Dokumentacioni i lartpërmendur duhet të jetë origjinal ose fotokopje e noterizuar, si dhe të niset zyrtarisht nga propozuesi, dhe jo nga i dënuari apo familjaret e tij, pasi në të kundërt nuk do të konsiderohet i vlefshëm për çeljen e procedurave të faljes dhe Drejtoria Juridike dhe e Koordinimit pranë Institucionit të Presidentit të Republikës do t’ia kthejë dokumentet dërguesit, me qëllim që të nisen zyrtarisht nga propozuesi. Vërtetimet (të dhënat) mbi kohën e vuajtjes së dënimit, institucionin e vuajtjes së dënimit, për të dënuarit që vuajnë dënimin nëpër burgje, dhe të dhëna të ngjashme merren nga Institucioni i Presidentit të Republikës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Gjithashtu edhe të dhënat mbi sjelljen e të dënuarve në burgje, gjendjen e tyre shëndetësore ose gjendjen ekonomike dhe familjare të të dënuarit, merren zyrtarisht nga Institucioni i Presidentit tek institucionet përkatëse dhe nuk janë dokumente të detyrueshme, që i kërkohet personit që e ka bërë kërkesën, për ta sjellë bashkë me kërkesën në Institucionin e Presidencës. Gjithashtu, nuk ekziston një formular standard për bërjen e kërkesës, kërkesa do të bëhet nga i dënuari ose të afërmit e tij dhe duhet të përmbushë kërkesat e mësipërme dhe duhet të dërgohet në Institucionin e Presidentit të Republikës nga propozuesi bashkë me dokumentet e tjera. E drejta e faljes është një e drejtë vetëm e Presidentit të Republikës, një e drejtë kushtetuese e parashikuar nga neni 92/b i Kushtetutës dhe e normuar nga neni 70 i Kodit Penal, ligji nr. 6299, datë 27.03.1981 “Për faljet”, ndryshuar me ligjin nr. 7682, datë 09.03.1993. Ligji parashikon një procedurë të caktuar për t’iu drejtuar Presidentit të Republikës me kërkesë për falje të dënimit. Sipas nenit 2 të ligjit nr. 6299, datë 27.03.1981, ndryshuar me nenin 1 të ligjit nr. 7682, datë 09.03.1993 kanë të drejtë t’i bëjnë Presidentit të Republikës propozim për falje me iniciativën e tyre ose me kërkesën e të dënuarit apo të pjesëtarëve të familjes së tij, Këshilli i Ministrave, ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, organet qendrore të organizatave joqeveritare, organet përfaqësuese ose ekzekutive të pushtetit vendor (komuna dhe bashki), gjykatat, prokuroritë, organet e rendit publik.

Propozimi për faljen e dënimit (nëpërmjet përjashtimit tërësisht ose pjesërisht nga vuajtja e dënimit, ose kërkesa për zëvendësimin e dënimit me një dënim më të butë) bërë nga organet e mësipërme, duhet të ketë bashkëlidhur edhe dokumentet e mëposhtme.

Kërkesë për falje, nënshkruar nga i dënuari ose familjarët e tij drejtuar Presidentit të Republikës. Në këtë kërkesë duhet të jepen domosdoshmërish të dhëna lidhur me veprën penale, për të cilën është dënuar personi, numrin dhe datën e vendimit gjyqësor, gjykatën që e ka dhënë vendimin, dënimin e dhënë ndaj tij nga gjykata, datën e arrestimit, masën e dënimit të vuajtur deri në atë moment, si dhe dënimin e mbetur, gjendjen familjare, shëndetësore të të dënuarit dhe arsyen pse kërkohet falja. Ligji nuk përjashton asnjë të dënuar, pavarësisht nga lloji i veprës penale për të cilën është dënuar që të kërkojë nga Presidenti i Republikës faljen e dënimit ose zëvendësimin e tij.

Vendimi gjyqësor i formës së prerë lidhur me dënimin e tij (vendimi i gjykatës së rrethit, ku pasqyrohen të gjitha ndryshimet që ka pësuar ky vendim në shkallë të ndryshme të gjyqësorit).

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›