E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenca, beteja trevjeçare Topi-Berisha

TIRANË Historia e marrëdhënieve mes presidentit të Republikës, Bamir Topi, dhe kryeministrit Sali Berisha në këto katër vite e më shumë mandati, është një histori ulje ngritjesh, që në fakt krisjen e saj të parë publike e pati një muaj para se Topi të zgjidhej President. Dreka e fund qershorit e vitit 2007 me 20 deputetë të PD-së ishte presioni i hapur dhe i drejtpërdrejtë i Topit ndaj kryeministrit Berisha për të përmbushur kërkesën ambicioze të tij për t’u zgjedhur President. Pas disa pakënaqësive dhe qejfmbetjeve që u shoqëruan në vitin 2007 edhe në ngjarje të tilla siç ishin festat e fundnëntorit, krisja e dytë e madhe mes tyre erdhi gjatë negociatave për ndryshimet kushtetuese në prill të vitit 2008, kohë në të cilën presidenti Topi u la në hije teksa dy partitë e mëdha do të preknin edhe vetë institucionin e kreut të shtetit. Më pas, ishte Topi që foli me gjuhën e ligjit, duke kthyer pas ligjin për legalizimet e duke propozuar në Kuvend, pa miratimin paraprak të Berishës, të 5 emrat e rinj për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të cilët u rrëzuan një e nga një me votat e mazhorancës, por edhe të opozitës. Pas akuzave (ndaj tij) të kryeministrit Sali Berisha për pakicë bllokuese, në fund të vitit 2008, Bamir Topi do të mbështeste fuqishëm prokurorinë në hetimet e saj për tragjedinë e Gërdecit. Por Presidenti i Republikës nuk do të kishte të njëjtin ndikim te Berisha e Rama për të gjetur një gjuhë kompromisi për problemet që u evidentuan në zgjedhjet e vitit 2009, aq sa dy krerët e partive PD-PS do të kërkonin zgjidhje jo më në tryezën e tij, por në atë të restorant “Krokodil”-it në Strasburg, në prani të negociatorëve të huaj. Janarin e vitit 2009, ligji më i debatuar i lustracionit nuk mori firmën e presidentit Topi, ligj i cili më pas u rrëzua edhe nga Gjykata Kushtetuese. Por Topit iu rrëzuan më pas dy kandidatë për Gjykatën Lartë dhe tre të tjerë të propozuar nga ai për Gjykatën Kushtetuese. Dhe po aq i “rrëzuar” Topi u ndje edhe me votën e tij, teksa mazhoranca nën pretekstin e leximit të çdo vote të hedhur gabim aludoi se ai kishte votuar për Edi Ramën. Topi u sulmua së fundmi edhe për ngjarjen e 21 Janarit, duke u etiketuar si “horr” bulevardi e deri te cilësimi i një njeri të pa fe, sa herë që në skenë dilte Aleanca “Kuq e Zi”, qëndrime këto që për ish-nënkryetarin e PD-së e bëjnë të pamundur rikthimin në PD, për të përmbushur ambiciet e tij politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›