Xhafaj: Nuk kemi vënë kushte për paktin me 10 pika
Ajo që mban larg dy forcat kryesore politike në lidhje me paktin dhjetë-pikësh të propozuar nga socialistët, nuk është përmbajtja e tij, por filozofia që ka qeveria për qeverisjen. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Fatmir Xhafaj, pas analizimit që i bënë përgjigjes refuzuese që selia rozë ka marrë nga mazhoranca për sa i përket arritjes së një marrëveshjeje për këtë pakt. “Përmes krizës, Berisha mund të arrijë objektivat e tij politike të pushtetit të tij personal. Dhe po marr për shembull sistemin e drejtësisë: një nga pikat kryesore që ka ky projekt është çështja e reformimit të sistemit. Gjendja aktuale bën që veprimtaria antiligjore e qeverisë të gjejë terren dhe të manipulojë më lehtë për të marrë pushtetin në tavolinë. Kjo është arsyeja, dhe këtu është çështja e qasjes, është çështje filozofie, dhe nuk është çështje numrash një apo dy, sepse po të ishte çështje numrash do ishte ulur në tavolinë, sepse në fund të fundit ne thoshim që ne mendojmë kështu për këtë pikë dhe ata do thoshin që ne mendojmë kështu dhe do jepnin argumentet e tyre. Por ai e di mirë se kështu do ecë procesi”, - shprehet Xhafaj në një prononcim për mediat. Më tej, ai edhe njëherë kërkon të sqarojë se pakti i propozuar nga kryetari i PS-së, Edi Rama, nuk duhet parë kurrsesi si një kushtëzim që opozita po i bën marrëdhënieve me mazhorancën, por duhet marrë si një hapësirë bashkëpunimi. Ndaj, thekson ai, PS-ja në mënyrë të qartë ka bërë të ditur se pikat e përfshira në këtë pakt janë të negociueshme. “Kjo është hapësirë për bashkëpunim dhe nuk është kushtëzuese. Është abuzuese e gjithë kjo, e përdorur nga kundërshtarët tanë politikë, aty nuk ka asgjë kushtëzuese. Ne kemi dorëzuar një projekt, ashtu siç propozuam dhe rezolutën vitin e kaluar. Iu është dhënë një shans tjetër nga opozita, në mënyrë të përgjegjshme ka propozuar një dokument konstruktiv dhe të negociueshëm. Nuk i ka thënë që këto janë kushtet tona dhe po s’u bënë këto, nuk ka rrugë tjetër. Jo, ka thënë ky, është propozimi ynë, ky është projekti ynë, hajde diskutojmë mbi këtë projekt, ju mund të keni për secilën nga ato pika rezervat tuaja dhe propozimet tuaja. Përkundër kësaj, në vend të negocimit, Sali Berisha ka vendosur bllokimin”, - thekson Xhafaj, ndërsa hedh poshtë të gjitha deklaratat e ardhura nga mazhoranca, të cilat e kanë konsideruar atë si përpjekje për të bërë pazar për pushtet.