Bashkia e Tiranës nis lirimin e rrugëve dhe trotuareve
Aksioni i Policisë Bashkiake në Njësitë Bashkiake numër 1 dhe 2
Bashkia e Tiranës nisi dje fazën e parë të aksionit për lirimin e rrugëve, trotuareve dhe hapësirave publike të zëna nga subjekte tregtare dhe ambulantët. Policia Bashkiake e nisi punën në mëngjes herët, në zonën e rrugës së Elbasanit. Aksioni nisi në njësinë Bashkiake nr.1 dhe 2 e do të shtrihet në ditët në vijim, edhe në njësitë e tjera bashkiake të kryeqytetit. Në fazën e parë do të hiqen nga rrugët dhe nga trotuaret, mjetet e ngurta, vazot, tabelat, kangjellat, etj, më tej karriget, tavolinat dhe pajisjet e tjera. Në fazën e parë, në fokus janë 84 subjekte që kanë refuzuar të paguajnë detyrimet fiskale.
“Pas lajmërimeve të përsëritura publike, Bashkia po kryen fazën e parë të aksionit për lirimin e rrugëve dhe trotuareve. Sot do të merren këto masa ndaj 84 subjekteve që kanë refuzuar të paguajnë detyrimet fiskale. Aksioni do të vazhdojë dhe me 4 fazat e tjera, derisa trotuaret dhe rrugët t’u kthehen qytetarëve. Bashkia është e vendosur të zbatojë ligjin”- u shpreh dje gjatë aksionit, drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha.
Aksioni i Policisë Bashkiake do të vazhdojë edhe në 4 fazat e tjera, ku parashikohet të lirohen të gjithë rrugët dhe trotuaret e qytetit që bllokohen dhe zihen nga subjektet e ndryshme.
5 fazat e planit të Bashkisë janë: 1 - Lirimi i hapësirave publike të zëna nga 84 subjekte fizike apo juridike, të cilët kanë refuzuar të paguajnë detyrimet fiskale. 2-Lirimi i hapësirave publike nga 151 kioska dhe subjekte pa leje, pavarësisht nëse paguajnë ose jo detyrimet fiskale. 3-Lirimi i hapësirave publike, nga 107 automjete që dergjen të palëvizura prej kohësh në rrugët e Tiranës. Bashkia e Tiranës u kërkon poseduesve të këtyre automjeteve, që të marrin masa për zhvendosjen e tyre, pasi në të kundërt këto mjete do të asgjësohen nga autoritetet bashkiake. 4-Lirimi i hapësirave publike nga 431 tregtarë ambulantë, të cilët ushtrojnë aktivitetin pa asnjë bazë ligjore. 5-Lirimi i hapësirave publike nga të gjithë subjektet e tjera tregtare, duke përfshirë edhe ato që kanë paguar detyrimet deri më datë 1 tetor.