E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Presidenca çeke: Asnjë diskutim për rikthimin e vizave për Shqipërinë

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian ka përjashtuar se ka në shqyrtim pezullimin e regjimit pa viza me Serbinë dhe Shqipërinë. Televizioni publik pyeti presidencën çeke pas një narrative mediatike që i referohej dokumenteve të saj të cituara fillimisht në mediat çeke e më pas ato europiane. Përgjigja e presidencës çeke përmes Ministrisë së Jashtme të Çekisë nuk lë asnjë dyzim për ndërmarrjen e një akti të tillë.

“Pezullimi i regjimit pa viza me Serbinë dhe Shqipërinë është vetëm një nga mjetet e mundshme për parandalimin e rritjes së imigracionit të paligjshëm përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor;  megjithatë nuk po shqyrtohet për momentin”, ka thënë presidenca çeke.

Javën e kaluar mediat iu referuan një raporti sipas tyre të presidencës çeke që propozonte praktikën, e cila do të diskutohej në Këshillin Europian. Para dhe pas mbledhjes së Këshillit, u bë e qartë se një praktikë e tillë nuk ishte vendosur, pavarësisht shqetësimit të Frontex për rritjen emigracionit nga rruga ballkanike. Autoritetet shqiptare, sqaruan po ashtu qytetarët se nuk ekzistonte një rrezik i tillë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›