E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca e BE, amb. hungarez takon krerët e shtetit

"Qeveria shqiptare është e vendosur të ndërmarrë çdo reformë dhe çdo masë dhe po punon intensivisht për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e konsideruar këtë proces të bazuar tërësisht në performancë dhe meritë", tha Berisha gjatë takimit.

Kryeministri shprehu bindjen e thellë se, Presidenca hungareze e BE-së do të jetë e suksesshme në realizmin e detyrave që i ka vënë vetes, si për promovimin e prioriteteve të rëndësishme të axhendës së BE-së, por edhe për tejkalimin e sfidave, në veçanti për kapërcimin e vështirësive dhe pasojave të krizës ekonomiko -financiare.

Gjatë takimit në presidencë, kreu i shtetit Bamir Topi, ritheksoi se integrimi i Shqipërisë në BE është prioritet parësor i politikës së jashtme shqiptare.  Topi nënvizoi angazhimin e shtetit shqiptar për bashkëpunim të plotë me Presidencën hungareze dhe delegacionin e BE-së në Tiranë me synimin për përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Në këtë kontekst, shprehu besimin në angazhimin e plotë të Presidencës hungareze për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për në BE.

Diplomati hungarez zhvilloi një takim edhe me ministrin e Jashtëm, Haxhinasto nga ku ka theksuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor do të jetë në fokusin e Presidencës në kuadër të politikës së zgjerimit Ambasadori Molnari i dorëzoi ministrit Haxhinasto programin e Presidencës hungareze dhe bëri një prezantim të katër prioriteteve për periudhën janar-qershor 2011.

Molnari evidentoi faktin se rajoni i Ballkanit Perëndimor do të jetë në fokusin e Presidencës, në kuadër të politikës së zgjerimit duke konfirmuar mbështetjen për avancimin e të gjitha vendeve në axhendën e tyre të integrimit evropian. 

Gjatë të gjitha takimeve, ambasadori Molnari theksoi mbështetjen e Presidencës hungareze në aspiratën eurointegruese të Shqipërisë dhe të vendeve të rajonit. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-01-17 17:19
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›