Presidenca publikon përgjigjet e kreut të shtetit ndaj Gjykatës Kushtetuese

Presidenca shqiptare ka publikuar në faqen e internetit përgjigjet që presidenti Ilir Meta i dha Gjykatës Kushtetuese, pasi ajo i adresoi 72 pyetje lidhur me aktivitetin e tij, pas kërkesës së bërë nga parlamenti për shkakrimin e kreut të shtetit. “Nëse Gjykata do të kishte shqyrtuar me vëmendje të thelluar këto qëndrime të Presidentit tëRepublikës, apo dhe provat që e shoqërojnë atë, shumë prej pyetjeve sot nuk do të ekzistonin” shkruan presidenca në faqen e saj.
Po sot presidenca pritet të çojë në prokurori një padi për falsifikimin që sipas kreut të shtetit ka bërë kuvendi. “Është e rëndë dhe kriminale, që në Gjykatën kushtetuese kuvendi i Shqipërisë të dorëzojë një provë gjoja të re të falsifikuar dhe pa ia kërkuar askush” tha një ditë më parë presidenti Meta.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë mbylli të hënën procesin ndaj kreut të shtetit Ilir Meta, i inicuar nga parlamenti shqiptar. Meta akuzohet nga mazhoranca socialiste se ka shkelur kushtetutën në zgjedhjet e kaluara parlamentare të 25 prillit.
Sipas saj duke mos qëndruar mbi palët para dhe gjatë fushatës, presidenti ka vënë në rrezik jetën e qytetarëve dhe me deklarata dhe thirrje të forta ka cenuar marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Presidenti Meta vazhdimisht i ka hedhur poshtë akuzat dhe i ka konsideruar të motivuara politikisht. “Ky proces parlamentar, nisi dhe përfundoi në bazë të një urdhri politik, i diktuar politikisht, në mungesë të lëndës për të iniciuar një proces shkarkimi” tha një këshilltar i tij.
Kjo është hera e dytë që iniciohet shkarkimi i zotit Meta. Ai është zgjedhur si president në prill 2017 dhe mandai i tij përfundon në korrik të këtij viti.