Presidenca suedeze; 2009-a, një vit i suksesshëm për aspiratat integruese të Shqipërisë
Përfaqësuesja e Suedisë në Tiranë, vend që mban presidencën e BE-së e ka cilësuar si të suksesshëm procesin e integrimit të Shqipërisë, duke cituar edhe vlerësimet e ministrit të jashtëm Karl Billd, por ka përsëritur se “bojkoti i tejzgjatur i opozitës po rrezikon aspiratat integruese të të gjithë qytetarëve”TIRANë- Suedia mbyll Presidencën 6–mujore të Bashkimit Europian me një bilanc pozitiv për vetë bllokun dhe vendet aspirante: Ratifikimi i Traktaktit të Lisbonës, heqja e vizave për tre vende të Ballkanit, pranimin e shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendi kandidat. Ministri suedez i Punëve të Jashtme, Karl Bildt vlerësoi se ky vit ka qenë vit i hapjes dhe përparimit drejt Bashkimit Evropian për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç për Bosnje Hercegovinës, vërejti ai. “Sukseset janë të dukshme në hyrjen në fuqi të Marrëveshjes kalimtare për tregti me Serbinë, në ndërprerjen e bllokimit slloven në negociatat kroate, në avancimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë si dhe me shenjat për zgjidhje të kontestit midis Athinës dhe Shkupit për emrin për Maqedoninë”, tha Bildt në Stokholm.Sipas tij, vetëm Bosnje Hercegovina, për fat të keq, nuk e ndjek këtë dinamikë. “Në çdo rast, dëshira jonë është që edhe ky shtet të realizojë heqje të vizave për udhëtim për shtetasit e saj në zonën e schengenit”, shtoi ai.Ndërkaq, për Shqipërinë vlerësimi i kësaj presidence është i qartë: “Ka bërë progres”! E ngarkuara me punë e Suedisë në Tiranë, Elisabet Stam, në një intervistë për TV Klan deklaron se ky progres është i dukshëm krahasuar me një vit më parë. Duke iu referuar progres raportit të tetorit, znj. Stam shprehet se ecuria e reformave në Shqipëri ndiqet me një interes të veçantë nga vendet e unionit.“Ne kemi monitoruar procesin e reformave në Shqipëri. Dhe së bashku me aktorët e tjerë të unionit, bëmë raportin që u botua në muajin tetor. Këtë vit ai ishte më i mirë se ai i një viti më parë. Nuk mund të themi se ishte jashtëzakonisht i mirë, por ne themi shpesh që do donim një progres të përshpejtuar, më të shpejtë seç ka ndodhur. Por mesa duket Shqipëria ka prioritete të tjera për momentin”, tha ambasadorja suedeze. Për të theksuar mbështetjen e vendit të saj për Shqipërinë gjatë Presidencës së Bashkimit Europian, znj. Stam ndalet tek vendimi i 16 nëntorit që i hapi rrugë shqyrtimit të kërkesës për statusin e vendit kandidat dhe përshpejtimit për liberalizimin e vizave. Diplomatja suedeze komenton edhe situatën politike në Shqipëri. I quan protestat e opozitës si e drejtë demokratike, por shprehet qartë se pas disa muaj tubimesh dhe bojkoti të kuvendit, nuk ka patur asnjë efekt pozitiv prej tyre.“Ne kemi dhënë opinionin tonë që në fillimet e këtij bojkoti dhe sigurisht protestat janë një pjesë e demokracisë dhe për sa kohë ato janë paqësore, janë gjithashtu dhe të pranueshme. Por nga ana tjetër që prej disa muajsh nuk po shohim asnjë efekt pozitiv të këtij bojkoti. Ne i kemi kërkuar lidershipit politik në vend, të të dy palëve që duhet gjetur dialogu, sepse në të kundërt kjo do të ishte diçka e keqe për Shqipërinë dhe shqiptarët”, u shpreh ambasadorja suedeze në Tiranë. Mungesa e opozitës në parlament, shton ajo, ka ndikim negativ edhe në proceset integruese.“Në projektin afatgjatën të anëtarësimit apo atë të afërt të heqjes së vizave. Bojkoti i opozitës është gjithashtu negativ dhe për procesin integrues të Shqipërisë dhe për procesin e liberalizimit të vizave. Ka disa kritere dhe rregulla që duhen respektuar dhe nëse situata politike mbetet pezull kjo do të jetë e vështirë për ne që të mbështesim integrimin e shpejtë të Shqipërisë dhe nga ana tjetër kjo mund të ketë efekte negative. Ky proces duhet përshpejtuar jo vetëm për të mirën tuaj por dhe për ne”, u shpreh ajo.L.Q...