Sesionin e dytë, opozita të jetë në Kuvend për të kontribuar në liberalizimin e vizave

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli analizon punën e parlamentit gjatë 100 ditëve - apel zyrtar Edi RamësTIRANë- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vlerëson punën e parlamentit në vetëm 100 ditë, ku janë miratuar më shumë se 70 ligje të rëndësishme për vendin. Përmes një analize të përgjithshme, Topalli gjeti rastin t’i apelojë dhe opozitës që të rikthehet në parlament gjatë sesionit të dytë të legjislaturës së XVIII, pasi Shqipërinë e presin sfida madhore siç është liberalizimi i vizave dhe marrja e statusit kandidat në BE. Kryeparlamentarja, Jozefina Topalli gjatë një konference për shtyp të zhvilluar dje në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ka bërë analizën vjetore të punës së Kuvendit të Shqipërisë. Topalli theksoi një numër të jashtëzakonshëm ligjet të miratuara brenda më pak se 100 ditësh dhe njëheraz specifikoi se sfida kryesore e Kuvendit edhe në vijim, vazhdon të jetë lufta pa tolerancë ndaj krimit dhe mafies. “Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi seancën e fundit plenare të sesionit të parë të Legjislaturës XVIII. Ky Sesion filloi më 7 shtator 2009, pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, të njohura dhe çertifikuara juridikisht me konsensusin e plotë të institucioneve zgjedhore dhe të vlerësuara si më të mirat e zhvilluara nga të gjithë monitoruesit ndërkombëtarë dhe ata vendas. Më 16 shtator 2009 Kuvendi votoi programin dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave duke nisur sfidën madhore të realizimit të premtimeve të saj. Në këtë sesion të parë, në 17 seanca plenare, në mbi 47 orë diskutime parlamentare, Kuvendi me përgjegjësinë e institucionit përfaqësues të qytetarëve shqiptarë, përmbushi rolin e tij kushtetues duke vazhduar më tej reformat e rëndësishme të vendit, të ndërmarra me synim prosperitetin të vendit dhe të çdo qytetari pa dallim. Në këtë sesion u miratuan 70 ligje dhe 20 vendime nga 44 ligje dhe 15 vendime në legjislaturën e mëparshme, ose rreth 70% më shumë se në legjislaturën e kaluar, për të njëjtën periudhë. 70 ligje të miratuara në 100 ditë, janë një numër i konsiderueshëm. Janë ligje reformash. Jam e kënaqur që një numër kaq i madh ligjesh e reformash kanë marrë në shumicën e rasteve 73-74 vota, si asnjëherë më parë, duke dëshmuar kështu sa solide është mazhoranca parlamentare. Kjo arritje legjislative nuk do të kishte qenë e mundur pa kontributin e të gjithë komisioneve të përhershme të Kuvendit”, u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke veçuar përpjekjet e Kuvendit në luftën pa tolerancë kundër krimit e mafies me qëllim për të kthyer vendin tonë një vend të sigurtë e të shtetit ligjor, të ngjashëm të vendet me të zhvilluara të kontinentit.Ajo vuri në dukje se Kuvendi ka rolin themelor për arritjen e lëvizjes së lirë të shqiptarëve. Në këtë aspekt, Topalli shfrytëzoi rastin t’i bëjë edhe njëherë thirrje opozitës të marrë pjesë në reforma dhe sfida historike për vendin duke qenë prezent në Parlament.“Ftoj deputetët opozitarë të jenë prezent në sesionin e dytë ku do të bëhet e mundur lëvizja pa viza. Ftoj Ramën që mos pengojë deputetët të hyjnë në Kuvend”, theksoi ajo.Lidhur me letrën që kryebashkiaku Rama i ka drejtuar Kuvendit për propozimet e fundit të qeverisë në ligjin për Inspektoriatin e Ndërtimit që sipas tij kanë papajtueshmëri ligjore dhe kushtetuese, Topalli tha se këtë ligj, opozita duhet të vijë ta diskutojë në Kuvend....