Presidenca suedeze i përgjigjet ministrit Basha: Do shqyrtojmë pa vonesë kërkesën e Berishës
Kërkesa e Shqipërisë për marrjen e statusit për anëtarësim në BE si dhe përshpejtimi i procesit të liberalizimit të vizave, kanë qenë qenë në qendër të telefonatës së djeshme të ministrit Lulzim Basha me homologun suedez Karl Bildt
TIRANE - Pasi është mbyllur procesi zgjedhor në vend dhe kur pritet që KQZ të çertifikojë përfundimisht rezultatin, Shqipëria ka marrë vlerësimet e SHBA-së dhe BE-së, për realizimin e zgjedhjeve më të mira në histori, duke i dhënë hov dinamikës diplomatike për integrimin e vendit në familjen evropiane.
Ndërkohë që përshpejtimi i kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit-kandidat në Bashkimin Evropian dhe heqja e vizave për qytetarët shqiptarë kryesojnë axhendën e diplomacisë shqiptare, pikërisht për këto dy çështje ditët e fundit ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha ka pasur një sërë bisedash telefonike me homologë të tij. Biseda telefonike mes ministrit Basha dhe ministrit të Jashtëm të Suedisë, Carl Bildt, vend i cili ka kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian, u bë publike nga shefi i diplomacisë suedeze në konferencën për shtyp me ministrin e Jashtëm të Islandës në Stokholm. Carl Bildt, një nga njohësit më të mirë të Ballkanit dhe mbështetës i procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian ka siguruar se “Presidenca suedeze mbështet shqyrtimin pa vonesa të kërkesës së Shqipërisë për statusin e kandidatit si dhe përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për shtetasit shqiptarë”.
Shqyrtimi i shpejtë i kërkesës së Shqipërisë është kërkuar publikisht edhe nga Ministri i Jashtëm i Italisë dhe ish-Zëvendëspresident i Komisionit Evropian, Franco Frattini, në një deklaratë publike në Trieste. Ministri Basha zhvilloi paraditen e djeshme një bisedë telefonike me Frattinin, të cilin e falënderoi për mbështetjen e fortë që Italia i jep integrimit evropian të Shqipërisë.
Ministri Basha e njohu atë me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe angazhimin e qeverisë Shqiptare për të vijuar me vendosmëri në plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm Italian rikonfirmoi vullnetin dhe angazhimin e palëkundur të Italisë për përmbushjen, “në kohë të shpejtë të liberalizimit të regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë si dhe të shqyrtimit të kërkesës”, siç e vlerësoi ai, “tashmë të avancuar të Shqipërisë për kandidim në Bashkimin Evropian”.
Frattini ka vlerësuar progresin e madh të bërë nga Shqipëria dhe ka theksuar se “Italia do të vazhdojë të jetë avokate e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, ndërsa ka shprehur edhe përgëzimet për kryeministrin Berisha për fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit .
Menjëherë pas aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian me 28 prill në Pragë, Kryeministri suedez Reinfeld tha se kjo kërkesë do të shqyrtohet pas zgjedhjeve.
Procesit zgjedhor në Shqipëri po i vjen fundi. Pas përfundimit të procesit të ankimimit në Kolegjin Zgjedhor, nesër do të jetë KQZ që, me nxjerrjen e rezultateve përfundimtare, përmbyll tërësisht këtë proces, duke i hapur kështu rrugë një sërë zhvillimesh të rëndësishme që lidhen me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.