E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plumba ndaj Togos

Një grup i armatosur ka shtënë me automatikë në autobusin që përcillte Kombëtaren e Togos për në Kupën e Afrikës në Angolë, duke vrarë shoferin dhe lënduar disa futbollistë.

Zyrtarët kanë thënë se të shtënat kanë ndodhur në territorin e pasur me naftë, Cabinda, ku rebelët kanë qenë duke luftuar për pavarësi. Qeveria e Angolas e quajti incidentin si “akt të terrorizmit". Ka njoftime për lëndime serioze.

Togo pritet të zhvillojë ndeshjen e tyre të parë në Cabinda të hënën. Sulmuesi i Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor ishte në autobus por kaloi pa lëndime. Në një komunikatë, Manchester City ka thënë se Adebayor ishte “i tronditur nga ngjarja e tmerrshme” por nuk ka pësuar lëndime.

Autobusi ishte duke udhëtuar për në Cabinda nga qendra stërvitore e Togos në Republikën e Kongos kur ndodhën të shtënat. Zyrtarët e garës kanë thënë se nuk kishin informacione se Kombëtarja e Togos ka vendosur të udhëtoj drejtpërdrejtë në Cabinda.

Ata kanë pohuar se kishin pritur që ekipi, së pari të udhëtoj në kryeqytetin e Angolas, Luanda e pastaj prej aty të shkojnë në Cabinda. Sulmuesi i Togos, Thomas Dossevi tha për radion franceze RMC se disa futbollistë “janë në gjendje të keqe” pas sulmit.

“Jemi qëlluar me automatikë, kanë qëlluar mbi ne sikur të ishim qen. Në kufi me Angolën – automatikë. Nuk e di pse. Mendoj se ishin disa rebelë. Kemi qëndruar nën ulëset e autobusit për 20 minuta, duke u munduar t`i shpëtojmë plumbave”.

Togo pritet të luajë kundër Ganës, Burkina Fasos dhe Bregut të Fildishtë në grupin e tyre. Ndeshja e tyre e parë ishte kundër Ganës. Mesfushori Alaixys Romao tha për RMC se Togo me siguri do të tërhiqet nga gara.

“Askush nuk dëshiron të luaj. Nuk jemi në gjendje. Ne së pari mendojmë për shëndetin e të lënduarve sepse kishte shumë gjak në tokë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›