Presidencialet franceze, nën presionin e ekstremizmit
Shtatë shtetas francezë me prejardhje hebreje dhe myslimane u ekzekutuan në mënyrën më makabre në Jug të Francës. Në këtë rajon të qetë francez jetojnë prej vitesh komunitete të ndryshme njerëzish në harmoni të plotë me njëri-tjetrin. Tuluza ka qenë gjatë Luftës së Dytë Botërore strehë për hebrenj që jetonin në Paris, të cilët u strehuan aty për ti shpëtuar nazizmit, ndërsa në vitet 50 mirëpriti komunitetin mysliman të ardhur nga Algjeria, një qytet shembull tolerance. Si në çdo cep të Francës, qyteti rozë ditët e fundit jetonte me problemet dhe debatet politike të fushatës elektorale presidenciale.
Vrasësi i njerëzve të pafajshëm në rajonin e Tuluzës ishte edhe ai francez, me origjinë algjeriane. Terroristi Muhamet Merah, banor i një lagjeje popullore të qytetit, punonte në një punishte llamarine, kishte kaluar kohë në kampet e Al Kaedës në Pakistan dhe Afganistan dhe ndodhej nën përgjimin e shërbimeve të kundërzbulimit francez. Merah i zgjodhi viktimat e tij me një objektiv të qartë: të vriste ushtarë francezë, sepse Franca merr pjesë në operacionet e NATOS-s në Afganistan, dhe hebrenj për tu hakmarrë ndaj shtetit hebre, të cilin e akuzonte se vriste fëmijë palestinezë.
Terrorizmi, ashtu si 10 vite më parë në Spanjë gjatë zgjedhjeve parlamentare, ndërhyri në fushatën presidenciale dhe e destabilizoi plotësisht atë përsa u përket temave dhe çështjeve madhore që ishin prekur deri tani, siç janë ekonomia, fiskaliteti, mirëqeverisja dhe masat për të luftuar papunësinë. Në ditët që kanë mbetur të fushatës presidenciale, vrasjet e Tuluzës do të kthehen në temat kryesore të fushatës, duke anashkaluar debatet e tjera politike.
Konteksti në të cilat ndodhën vrasjet terroriste në rajonin e Tuluzës lidhen ngushtë me dinamikën politike që po kalon Franca. Një nga temat që ka spikatur më shumë në këtë fushatë dhe që ka qenë një nga pikat e errëta të saj, ishte fjalori dhe gjuha raciste e përdorur nga njerëz të afërt të stafit të Presidentit francez Sarkozi dhe kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, ndaj të huajve. Sulmet politike ishin të përqendruara kryesisht ndaj zakoneve dhe traditave të komunitetit mysliman që jeton në Francë dhe emigracionit ilegal. Situata politike u përkeqësua dhe shkaktoi indinjatë kur akuzat dhe debatet me karakter racial dhe diskriminues i nxit ministri i Brendshëm, Claude Guent, i cili në dy momente të rëndësishme të fushatës deklaroi se të gjitha civilizimet nuk vlejnë njësoj dhe së dyti u pozicionua kundër faktit që në shkolla publike të mos tolerohej përdorimi i ushqimit sipas riteve muhamedane.
Duke dashur të provokojë një debat populist me objektiv thithjen e sa më shumë votave nga elektorati i ekstremit të djathtë, i cili përbën një rrezik potencial ndaj kandidatit Sarkozi për të qenë në raundin e dytë të presidenciales, ministri i Brendshëm hapi Kutinë e Pandorës në një kohë që ndodhi ky akt terrorist i ekstremizmit radikal. Elektorati i ekstremit të djathtë voton tradicionalisht Frontin Nacional, kandidatja e të cilit renditet në sondazhe me 14% të qëllimit të votave. Tematika dhe debatet e hapura nga Guent janë tematika të kësaj force politike dhe akti terrorist veçse do të çojë ujë në mullirin politik të Marine Le Pen, e cila do të përqendrohet tashmë tërësisht në çështje të sigurisë duke sulmuar bilancin e Sarkozisë.
Kjo lloj politike agresive ndaj francezëve me origjinë të huaj, si dhe politika e ashpër ndaj emigracionit dhe personave me qëndrim të parregullt në Francë, ka traumatizuar opinion publik në disa raste. Organizatat e të drejtave të njeriut u indinjuan se si u trajtua një komunitet ciganësh teksa u larguan me dhunë nga vendndodhja e tyre, ndërsa qëndrimi diskriminues dhe stigmatizues ndaj të huajve dhe komunitetit francez me origjinë të huaj vetëm sa mund të rriste mundësinë e akteve të tilla të pakontrollueshme të ekstremistëve xhihadistë. Terroristët shfrytëzojnë pikërisht këtë dinamizëm politik për të shfrytëzuar të rinj që ndihen të përçmuar dhe të diskriminuar për shkak të origjinës së tyre etnike, edhe pse këta janë qytetarë francezë. I tillë ishte edhe Muhamet Merah, një ri në telashe sociale që kishte përfunduar nën influencën e ideologjisë salafiste duke u kthyer në një përbindësh. Në këtë fushatë elektorale, pyetja kryesore që duhet të parashtrojë klasa politike franceze është se: çfarë duhet bërë që të rinj të tjerë mos përfundojnë si Merah, cilat janë masat për ti dhënë përgjigje dëshpërimit të këtyre të rinjve të brishtë?
Aspekti tjetër i akteve terroriste në Francë ka të bëjë me përgjegjësinë e kundërzbulimit francez dhe kritikat gjithnjë e në rritje ndaj forcave speciale franceze që eliminuan terroristin Merah. Shumë opinionistë dhe specialistë francezë të çështjeve të sigurisë, të cilët janë shprehur në mediat franceze, e shohin të gabuar rrethimin dhe pritjen prej 36 orësh ndaj terroristit, duke hedhur dyshime që ky skenar veprimi ishte ndërtuar në mënyrë që Sarkozi të fitonte pikë në opinion publik. Nëse këto hamendësime do të rezultojnë të vërteta, atëherë rrjedha e zgjedhjeve presidenciale franceze do të marrë kurs të papritur, ashtu siç ndodhi në vitin 2002, kur Richard Durn, 30 ditë para zgjedhjeve presidenciale, hyri në sallën komunale të qytetit të Nanterës dhe vrau 8 këshilltarë bashkiakë. Asaj kohe fushata pas këtij akti u orientua plotësisht në çështjet e sigurisë dhe solli si pasojë përballjen në turin e dytë të kandidatit të së djathtës me atë të ekstremit të djathtë, i cili në bindjet dhe fjalimet e veta nuk ka ndonjë dallim nga terroristi Merah. E njëjta situatë nuk është çudi të përsëritet sërish.
Kjo është sfida e francezëve, të evitojnë këtë skenar në zgjedhjet e ardhshme dhe duhet të votojnë për alternativat republikane, dhe jo ekstremizmat politikë.
Një proverb i vjetër afrikan paralajmëron: Kur shikojmë një pamje të shëmtuar, në radhë të parë duhet të sigurohemi që ajo nuk është refleksi ynë. Para se të gjykojmë, duhet të kemi gjithnjë në mendje këtë fjalë me mend të një civilizimi që me të vërtetë vlen aq shumë sa civilizimet e tjera.
