E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidencialet në SHBA, sondazhet s’favorizojnë asnjërin prej kandidatëve

27-05-2012 / Gazeta 55

Obama – Romney në balotazh me 46 përqind

Vazhdon gara e ngushtë elektorale dhe mbështetja po në të njëjtat nivele për dy kandidatët amerikanë për postin e Presidentit. Sipas anketimeve të kohëve të fundit, vihet në dukje se mbështetja për kandidatët Obama dhe Romni është në disa raste e njëjtë, ose në disa raste Presidenti ka një avantazh të vogël ndaj rivalit të tij. Kështu për shembull, një anketë e organizatës “Gallup” tregon se si Obama, edhe Romni, gëzojnë mbështetje të njëjtë, në 46 për qind secili.

Anketimet gjithashtu tregojnë se ekonomia do të jetë çështja më e rëndësishme në fushatën e këtij viti dhe kjo do të thotë se presidentit Obama do t’i duhet të shpenzojë mjaft kohë duke mbrojtur punën e tij 4-vjeçare. Demokratët janë plotësisht të ndërgjegjshëm për pakënaqësinë e njerëzve lidhur me ekonominë. Një nga strategjitë kryesore të fushatës së Obamës është që t`i bëjnë zgjedhjet jo thjesht një referendum për tre vitet e para në post të Presidentit, por një zgjedhje mes perspektivës që ai ofron për vendin dhe asaj të ofruar nga Romni.

Ky i fundit është zotuar ta shfuqizojë ligjin e reformës gjithëpërfshirëse të sistemit shëndetësor të Presidentit dhe për pakësimin e pushtetit të qeverisë federale. Vizionet e ndryshme të kandidatëve lidhur me përmasat e qeverisë pritet të jenë në qendër të debatit të zgjedhjeve këtë vit, thotë analisti politik Rhodes Cook. Anketuesi i firmës Gallup Frank Newport parashikon një rezultat të ngushtë në zgjedhjet e nëntorit.

Ai thotë se Presidenti parapëlqehet më tepër në garën me Romni, por shton se shumë votues vazhdojnë të kenë dyshime lidhur me aftësinë e tij në trajtimin e ekonomisë. Katër vjet më parë, Obama e mundi kandidatin republikan John McCain me një shumicë të konsiderueshme votash popullore si me vota të Kolegjit Elektoral, që përcaktojnë fituesin e garës presidenciale. Këtë vit ekspertët parashikojnë një garë shumë më të ngushtë se ato të viteve 2000 dhe 2004.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›