E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Bekali në arrest, akuzohet për rrëmbim personi

Pronari i Steauas së Bukureshtit, Xhixhi Bekali, është arrestuar të premten, pasi akuzohet se ka rrëmbyer tri persona, të cilët dyshohet se në fillim të këtij viti i vodhën makinën. 50-vjeçari u vu në pranga pas një seance gjyqësore që zgjati plot pesë orë: në përfundim, gjykatësit vendosën se ai "përbën një kërcënim publik". Rreth çështjes së pengmarrjes janë arrestuar edhe katër persona të tjerë, të cilët janë truprojat e Bekalit. Presidenti i klubit të mirënjohur sportiv në Rumani, që në vitin 1986 u bë skuadra e parë nga Evropa Lindore që triumfoi në Ligën e Kampioneve, do të qëndrojë 29 ditë në qeli, ndërsa hetimet do të vazhdojnë. Ai pretendon se akuzat janë një sajesë, pasi hajdutët kërkonin para në shkëmbim të automjetit, tip "Mercedes", me vlerë 120 mijë euro. Përpara dy vjetëve, Bekali ishte biznesmeni më i pasur në Rumani, me një pasuri prej afro 2,5 miliardë euro. Në qershor 2008, Steaua u penalizua nga federata, pasi pronari i klubit i ofroi 2.3 milionë euro skuadrës rivale për titull që të humbiste ndeshjen e fundit të kampionatit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›