E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti, Berisha: Të hapur për kandidaturën

Berisha dje në konferencën për shtyp

Shefi i maxhorancës pranon diskutime me faktorët parlamentarë: Oketa, si Namik Dokle. Vëllai i Topit, Flamuri, voton për mua.

Të hapur të diskutojmë me faktorët parlamentarë për Presidentin. Rama po na lë pa status edhe në 2012

Kryeministri Sali Berisha tha dje sërish se Presidenti i ri i vendit do të vijë nga maxhoranca. Ai u shpreh i hapur për të diskutuar me forcat politike për kreun e ri të shtetit, teksa shtoi se edhe në këtë rast do të zbatohet Kushtetuta. Kreu i qeverisë, në një komunikim me gazetarët, foli gjithashtu edhe për largimin e Gazmend Oketës dhe partinë e re të Presidentit Topi.
Deputeti i PD-së, Oketa, ka deklaruar në një emision televiziv se ka që nga tetori që nuk i ndjek mbledhjet e Grupit, madje ka hedhur edhe një lloj akuze, që u ngjajnë mbledhjeve të Byrosë. Do të donim të dinim se cili është qëndrimi i kryetarit të partisë për këtë?
Siç e dini, kryetari i Partisë Demokratike, vetëm në rastet kur nuk ndodhet në Shqipëri, nuk merr pjesë një herë në javë në mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe diskuton në këtë mbledhje probleme të interesit të përgjithshëm, të platformës, por edhe probleme të veçanta të zonave të tyre elektorale, ose çështje të tjera. Kjo është një konstante e shumicës së mbledhjeve, përveç rasteve kur ndonjë shkak madhor protokollar më detyron ta bëj mbledhjen të shkurtër. Në këtë kontekst, ju garantoj se si rregull, në shumicën e mbledhjeve, deputetët ngrenë para Kryeministrit dhe ministrave të pranishëm probleme që kanë të bëjnë me çështje të zgjedhësve të zonave të tyre elektorale, me shqetësime dhe ankesa të tyre. Sikundër në këto mbledhje, deputetët ngrenë edhe probleme të përgjithshme. Mund të të them Anila, se në memorien time, e cila funksionon, deputeti Oketa, as tani, as në kohën kur ka qenë në funksione ndër më të larta në qeveri, nuk ka ngritur qoftë edhe një problem të vetëm në mbledhjet e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Të besoj se ish-ministri i Mbrojtjes ishte frikacak të ngrinte çështje në mbledhjet e Grupit Parlamentar, kjo nuk më konvenon me problematikën. Deputeti Oketa ka marrë pjesë rregullisht në mbledhje gjer në shtator apo tetor, siç thotë, dhe nuk ka ngritur ndonjëherë as edhe një problem, as kur ka qenë zëvendëskryeministër, apo ministër, apo deputet. Kështu që, shkaqet e këtij divorci duhet ti kërkojmë tjetërkund. Investigoni ju gazetarët. Kishte frikë ministri i Mbrojtjes apo zëvendëskryeministri të ngrinte çështje në mbledhjen e Grupit Parlamentar?! Ju thatë se ai nuk fliste dot në mbledhjen e Grupit, por në mbledhjen e Grupit, ju garantoj, flet çdo njeri dhe nuk i është kërkuar kujt kurrë, as edhe njëherë dhe nuk mund të ndodhë ti kërkohet llogari përse ngre çështje në Grupin Parlamentar kur në Grup ngrihen rëndom probleme, dhe kjo është normë konstante. Zoti Oketa nuk ka ngritur qoftë edhe një herë të vetme dhe ju garantoj se të gjitha çështjet politike janë diskutuar e diskutohen me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike. Unë jam i hapur për çdo diskutim. Zoti Oketa zgjodhi një mënyrë tjetër. E kemi dëgjuar ndonjëherë kryetrarin e partisë të thotë pse Oketa bëri këtë apo atë? Kam vetëm këtë keqardhje: zoti Oketa hyri në parti si përfaqësues i një brezi tjetër, të ri, dhe u largua nga PD-ja si një Namik Dokle. Parlamenti dhe muret e tij kanë arkivin dhe memorien, koha stampohet. Ndodhi në vitin 1991, që si kurban për Ramiz Alinë, Namik Dokle pranoi të marrë vetëm votën e tij, ndodhi në vitin që jemi, që kurban për Bamir Topin, Gazmend Oketa, të marrë vetëm votën e tij. Këtë, Gazmend Oketa nuk duhet tia bënte vetes.
Në kushtet kur faktori ndërkombëtar ka intensifikuar deklaratat në drejtim të maxhorancës për zgjedhjen e Presidentit konsensual, i konsultuar me të gjitha palët, ju i qëndroni deklaratës suaj se Presidenti do të dalë nga radhët e maxhorancës, një politikan karriere nga radhët e maxhorancës?
Unë jam njeri jashtëzakonisht vlerësues dhe bashkëpunues me faktorin ndërkombëtar. Por, në atë që quhet faktor ndërkombëtar në këtë vend e në çdo vend, sundimi i ligjit është standardi që bashkon vendet e lira. Në këtë kontekst, ne jemi të hapur të diskutojmë me të gjithë faktorët parlamentarë, kandidaturat apo kandidaturën për President të Republikës, por, në çdo rrethanë, ne mbetemi të vendosur ti japim vendit një President në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë. Do të ishte qesharake, jo serioze, që ne të zëvendësonim Kushtetutën me forma të tjera të paparashikuara. Periudha kur ne e zgjidhnim Presidentin me 3/5 e votave mori fund në vitin 2008, me një marrëveshje për ndryshimin e Kushtetutës së vendit. Arsyetimi i atij ndryshimi është jashtëzakonisht solid. Relacioni që shoqëron atë ndryshim fakton se qëllimi më madhor është të parandalohet një krizë institucionale, është parandalimi i futjes së Shqipërisë në një elektroshok zgjedhor njëvjeçar etj., etj. Vendi nga i cili u mor ky model ishte Kushtetuta greke, një kushtetutë shumë e mirë, përveç këtij neni. Në zgjedhjet e fundit, ky nen u bë shkak për zgjedhje të parakohshme në Republikën helenike. Kjo është e vërteta. Nëse e studion me vëmendje këtë nen, ai bie në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, e cila përcakton sistemin të bazuar në zgjedhje periodike dhe zgjedhjet periodike janë zgjedhjet që bëhen një herë në 4 a 5 vjet, veç rasteve kur humbet me mocion, në republikat parlamentare. Në këtë rast, ligjvënësit kanë shtuar një faktor tjetër ekstra, që ndërpret zgjedhjet dhe që nuk ka të bëjë me funksionalitetin e qeverisë, por ka të bëjë me zgjedhjen e kreut të një institucioni tjetër. Kushtetuta të ndryshme, në këtë rast, kanë ndjekur dy qëndrime për të parandaluar një gjë të tillë: zgjedhjen e Presidentit me 50 për qind plus 1 të votave në raundet e fundit, siç vendosëm ne me zotin Rama, ose zgjedhje nga populli, siç e kanë disa vende. Që të dyja këto zgjedhje nuk cenojnë parimin e periodicitetit të zgjedhjeve të përgjithshme që sanksionohet në afatin kohor 4 a 5-vjeçar, sipas kushtetutave të ndryshme. Pra, kemi të bëjmë me një përshtatje që u bë në Kushtetutën e Shqipërisë me atë model të zgjedhjes së Presidentit, i cili nuk ndërhyn në parimin e zgjedhjeve periodike të përgjithshme në vend.
Do ta tentoni kompromisin në tri raundet e para, pasi në deklaratat e mëparshme keni lënë të kuptohet se do të keni një kandidat i maxhorancës?
Do të jetë kandidat i maxhorancës dhe në rast se zoti Rama do të japë votat, ne e mirëpresim. Sikundër zoti Rama, në përputhje me Kushtetutën, është i lirë dhe i ftuar të paraqesë kandidatin e tij. Nuk ka asnjë pengesë, zoti Rama ka të gjithë fuqinë, me firmat e deputetëve të tij, të paraqesë një apo dy kandidatë, sipas dëshirës së tij. Ky nuk do të jetë një proces konfrontues, por do të jetë kushtetues. A do të jetë nga maxhoranca? Unë i qëndroj asaj që kam thënë në Kryesinë e Partisë Demokratike. Nuk di ndonjërin që mund të më thuash se nuk ka kapacitetin për të mos qenë President i Republikës. Ky është vlerësimi im. Natyrisht, pastaj vlerësimet janë individuale. Por ligji ndiqet.
Duke iu rikthyer zhvillimeve politike në Shqipëri, të paktën që nga dita e sotme është rikthyer ngërçi politik që lidhet, në fakt, me proceset integruese të Shqipërisë. Ju e keni thënë shumë herë që këtë çështje do ta zgjidhin shqiptarët, por kjo nuk është një çështje që u përket shqiptarëve, pasi vullneti i shqiptarëve dihet në këtë rrugë, por është një çështje e vullnetit politik tashmë rruga e integrimit të Shqipërisë. Marr shkas këtu edhe nga Serbia, ku ka ecur tashmë përpara në proceset integruese duke bashkëpunuar. Nuk e di si mund të zgjidhet kjo çështje duke mos u a lënë në dorë shqiptar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›