E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkretëtirë në qytet

GJERGJ META

Njeriu modern, apo më mirë bashkëkohor, nuk ka kohë të mendojë, të ndalet, të reflektojë, gjëra këto që kanë nevojë për hapësirë, kohë, vullnet të mirë e, mbi të gjitha, motivim të brendshëm. Çka është me të vërtetë shpirtërore ia ka lënë vendin pothuaj tërësisht emocionales dhe ndjesores. Njeriu modern ndizet menjëherë dhe shuhet, po ashtu, menjëherë, sepse jeton në sipërfaqe. Të gjithë e ndiejmë peshën e sipërfaqes. Në këto ditë më rezultonte disi e vështirë të shpjegoja për njeriun e tanishëm kuptimin e agjërimit. Por, në të njëjtën kohë, duke vëzhguar mjaft imët realitetin në të cilin jetojmë, mu krijua bindja që ndoshta të gjithë, besimtarë ose jo, ndiejnë nevojën e një praktike të tillë. Në ckuptim? Po mundohem të jem sa më i qartë.
Për të krishterët katolikë dhe ortodoksë kanë filluar kreshmët, apo thënë më mirë, ajo periudhë dyzetditore që u paraprin Pashkëve. Një nga praktikat religjioze të këtyre ditëve është edhe ajo e agjërimit, apo mbajtjes kreshmore. Pa hyrë fort thellë në domethënien e kësaj kohe të rëndësishme për besimtarët e krishterë, praktika e agjërimit, që bëhet gjatë këtyre ditëve, është e pranishme dhe në religjione të tjera. Me gjithë dallimet, të cilat reflektojnë edhe impostimet e ndryshme teologjike, në thelb agjërimi përkon me idenë e relativizimit të gjërave materiale dhe me faktin se njeriu për të jetuar ka nevojë edhe për shumë gjëra të tjera që ndoshta nuk janë menjëherë të dukshme për sytë e të prekshme për ndjesitë. Në kuptimin e saj të thellë kreshmët janë një kthim te esencialja.
Në përgjithësi thuhet se kreshma ka të bëjë (dhe në të vërtetë ka të bëjë edhe me këtë) me heqjen dorë nga gjërat ushqimore dhe materiale në përgjithësi. Por si mund tu thuash sot shumë njerëzve të heqin dorë nga ushqimet, kur në të vërtetë ka prej tyre që mund të hanë vetëm një herë në ditë e kanë kreshmë gjithë vitit? Si mund ti thuash dikujt sot të mos blejë gjëra të shtrenjta e veshje të shtrenjta, kur ka ende shumë njerëz që janë mangët edhe për më të nevojshmen? Si mund tu thuash që të japin të holla për të varfrit kur një pjesë e mirë nuk arrijnë as fundin e muajit me pagat apo rrogat e tyre?
E, nga ana tjetër, në një botë që ofron modele fitimprurëse dhe hedoniste duket paradoksale, madje në kufijtë e qesharakes ti thuash dikujt që të heqë dorë nga gjëra që për shumëkënd janë vetë jeta. E kjo gjë bëhet gjithnjë e më e vështirë kur kultura e internetit dhe shtypit, nëpërmjet publicitetit të shumëllojshëm, të imponon e të josh në shumë mënyra. Sa fuqi ka një grishje për agjërim?
Por ajo çka dëshiroj të nënvizoj përtej atyre që thashë më sipër, është se mbajtja kreshmore në botën biblike është ngushtë e lidhur me shkretëtirën, e cila mbart në vetvete dy karakteristika: thatësirën dhe rrezikun. Fjala shqipe shkretëtirë është shumë e fortë, sepse ka në rrënjën e saj fjalën i/e shkretë. Dhe një gjë e shkretë është diçka shterpë, jo pjellore, e pajetë. Ka në brendësinë e saj realitetin e vdekjes dhe të asgjësë. Shkretëtira ka rrezikun e pritave, por edhe të zvarranikëve helmues.
Shkretëtira sot është në qendër të Europës, por edhe në jetën tonë të përditshme këtu në Shqipëri. Çfarë emri mund tu vendosim dy të moshuarve, fëmijët e të cilëve nuk kanë kohë ti takojnë? Po fëmijëve dhe të pafajshmëve që mbesin jetimë apo vriten në konflikte të ndryshme? Po atyre fëmijëve që mbesin të varur ndërmjet dy prindërve që kanë vendosur të ndahen? Po atyre familjeve apo pjesëtarëve të familjeve që urrejnë njëri -tjetrin e nuk arrijnë të falin? E shumë e shumë situatave të tjera? Janë shkretëtira brenda qytetit, në të cilat thatësira dhe rreziku kanë emrin e etjes për kuptim ekzistencial dhe kërkimit të dinjitetit që rrezikon të nëpërkëmbet. Kjo është një shkretëtirë që, duam sduam, na është dhënë që të përshkohet e gjitha, sepse është bërë për këmbët tona, apo më mirë, ia kemi hapur vetes. Të kalosh këto shkretëtira duhet të jesh sa më i lehtë, me sa më pak pesha e rëndesë. Thirrja për të shkuar drejt esencës, thelbit, sot më shumë se kurrë është shtegu i duhur për të kaluar shkretëtirën dhe për ta bërë atë të lulëzojë për ne e për ata që kemi përreth. Nëse çka po them mund të rezultojë abstrakte apo një zë në shkretëtirë për shumë veshë, ose e panevojshme, thellë-thellë më shoqëron një bindje: sot jemi të rënduar e kemi nevojë të heqim shumë pesha prej vetes!
Po në realitetin biblik, shkretëtira, që është mungesa e gjithçkaje, në mënyrë paradoksale bëhet simboli i pranisë së Hyjit. Aty ku gjithçka mungon dhe të hiqet dheu për nën këmbë, fillon e duket në horizont diçka tjetër, dikush tjetër që ndriçon skajin e qiellit tënd. Vetëm kështu shkretëtira mund të behet një kopsht, si ai gjeneziak!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›