E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti, Dade: Topi ka kryer detyrën, Nano votoi kundër PS

TIRANE - E ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në televizionin NEWS24, deputetja socialiste Arta Dade theksoi se është e nevojshme që presidenti i ardhshëm i vendit të zgjidhet me konsensus mes palëve.

E pyetur në lidhje me mundësinë përfshirjes së Fatos Nanos në listën e kandidatëve të PS-së për presidentin e ardhshëm, Dade tha se “është e drejta e secilit të aspirojë për president. Nuk ndodh që një lider 15-vjecar të thotë se nuk e ka votuar partinë e tij, siç ka bërë Nano”.

Duke theksuar se është ende shpejt për të folur për kandidaturën e PS-së për president, deputetja socialiste nuk pranoi dhe as hodhi poshtë mundësinë e mbështetjes për presidentin aktual Bamir Topi.

“Nuk kemi filluar ende bisedimet për presidentin e ardhshem të vendit. Vazhdojmë të kemi presidentin aktual i cili në momente të caktuara e ka luajtur rolin e tij si kryetar i shtetit. E mira është që të kemi një president konsensual. Ka majft hapësira që t’i kthehemi konsensusit. Besoj që nuk është ky momenti që të bëjmë vlerësime për presidentin, nuk duhet të sulmojmë institucionet, siç ka bërë mazhoranca me Presidencën”,- u shpreh Dade.

Integrimi Dade: PS gjithmonë e angazhuar
Deputetja socialiste bëri të ditur se PS në cdo moment ka punuar pro integrimit të vendit dhe në asnjë rast nuk e ka bojkotuar atë.
“Edhe në takimin e fundit që patëm me komisionerin për zgjerimin Shetfan Fyle kemi shprehur angazhimin që duam të marrim pjesë në të gjitha angazhimet për integrimin dhe theksuam se Shqipëria duhet t’a meritojë integrimin, shans që e humbi për herë të dytë për shkak të politikës së gabuar që ndoqi mazhoranca”, tha Dade në emisionin e “5 pyetjet nga Babaramo”.

Faktit se për 2 vjet, PS bojkotoi parlamentin duke mos miratuar asnjë nga reformat e kërkuara, Dade u përgjigj se PS e ka dëshmuar rolin e saj angazhues për integrimin dhe se nuk ishte opozita fajtore për këtë humbje.

“Statusi i vendit kandidat nuk u refuzua për shkak të opozitës, ne kemi qënë angazhuar gjithë kohën, ne e morëm këtë vend nga një vend të shkatërruar dhe e cuam gati 70% me negociata të përfunduara. PS si një forcë e angazhuar dhe luftën e saj politike për të përmbushuar standartet e ka përmbushur në këtë drejtim”.

Sipas Dades, raporti plot kritika i OSBE-ODIHR për zgjedhjet vendore të majit ishte finalja e luftës së PS.
“Dhe ne duhet të angazhoheshim për të bërë reformë të re.Shqipëria nuk ka patur arsye objektive që të mbeteshim në fund të anëtarësimit, ne jemi vend i parë që kemi nisur negociatat e stabilizim-asociimit dhe mbetëm pas për shkak të qeverisë së Sali Berishës”.

Situatën aktuale politike, Dade e ka cilësuar të qetë dhe me zhvillime të reja. “Fakti që ka nisur puna për reformën zgjedhore dhe për atë parlamentare, besoj se ka një relaksim të aktualitetit politik dhe besoj se mazhoranca nuk do të anashkalojë cdo dispozitë e amendament që ofrohet nga opozita. Ne duhet të bëjmë oponencë dhe të propozojmë pika që i shërbejnë vendit”.

Po për cështjen e integrimit, Dade theksoi se Ministrja aktuale e Integrimit, Majlinda Bregu duhet të monitorojë angazhimet që ka secila ministri në përmbushjen e rekomandimeve.

Kërkesa për takim me Haradinaj, Dade: Nuk e di nëse ka ndodhur
E pyetur në lidhje me kërkesën e dërguar nga zyra e PS-së për një takim mes kryetarit të PS-së Edi Rama me kryetarin e AAK-së në Kosovë, Ramush Haradinaj, në një kohë që ky i fundit përballet me drejtësinë në Hagë, Dade deklaroi se kryesocialisti ka bërë një takim shumë të frytshëm me përfaqësues të AAK-së dhe kjo është më e rëndësishme.

“Kërkohen verifikime për këtë çështje, nuk e di nëse kjo ka ndodhur. Më ka ardhur keq që ndonjë media e ka përdorur çështjen, une besoj që njerëzit mund të bëjnë edhe gabime njerëzore, por me ka çuditur fakti që një televizion i caktuar i ka dhënë një dimension të madh kësaj gjëje, që nuk e di nëse ka ndodhur, kur mund të merren me gafat e kryeministrit dhe qeverisë, që na kanë lënë jashtë dyerve të Europës.”- deklaroi Dade.

Ndërkohë, Dade theksoi se kreu i PS-së i kushton vëmendje të vecantë politikës së jashtme, por ai është një lider ndryshe që flet dhe komunikon në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“Rama është një lider ndryshe, ndoshta është keqkuptuar nga disa ambasadorë, pasi në diplomaci flitet dhe me gjeste. Është një lider i një tipi tjetër, jo i tipit tradicional, pra nuk është i nivelit që t’i puthi dorën diplomatëve të huaj”,- u shpreh Dade.

Deklarata e Daul, Dade: S’ka thënë se Rama është i sëmurë mendor
Në lidhje me deklaratën e eurodeputetit të djathtë Jozef Daul, ndaj kreut të PS-së Edi Rama, që sipas disa mediave e cilësoi kryesocialistin ndoshta si të sëmurë mendor, Dade deklaroi se “nuk besoj se Daul ka e thënë këtë gjë. Kemi këmbyer mesazhe me të dhe ai na konfirmoi se nuk e ka thënë një gjë të tillë”.

Serbia
Humbja e statusit të vendit kanditat për në Bashkimin Europian nga ana e Serbisë sipas deputetes së PS, Arta Dade ka një shkak dhe kjo është Kosova.
“Besoj se Serbia duhet të zgjidhë cështjet me Kosovën nëse nuk do të sakrifikojë marrjen e statusit të vendit kandidat për BE. Karta e nacionalitetit përdoret zakonisht në Ballkan. Është karta më e dobët, por në kategori të caktuara, shumë kthehen tek kjo kartë dhe dëmton pikërisht ata që mund ta kenë luajtur këtë kartë kundër tjetrit”.

Samiti i Brukselit
Lidhur me samitin e Brukselit ku Britani e Madhe nuk pranoi të përfshihej në eurozone dhe ne zonen shengen, deputetja socialiste Arta Dade pohoi në emisionin televiziv “5 pyetjet nga Babaramo” se roli i Britanisë do të vijojë të jetë u fuqishëm në BE. “Britania ka rol të madh dhe unë se kuptoj dot rolin e BE pa Britanin e Madhe”.

E pyetur nëse parasheh ndonjë shpërbërje të këtij unioni, Dade theksoi se nuk beson tek kjo tezë.
“Nuk besoj se është federatë që shkon drejt shpërbërjes, përtej problemeve që kanë nisur, por është organizëm në proces. Që kur u themelua u parashiua si një proces në zgjerim, shumë gjëra që ndodhin sot nuk mund të parashiheshin si kriza ekonomike, nuk parashihej zgjerimi deri në lindje”.

(er.nu/da.bo/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›