E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çeshtja “virgin”, Prokuroria dorëzon dosjen në Gjykatë

Prokuroria e Tiranës ka përmbyllur dosjen penale për një nga rastet më flagrante të mashtrimit me tregtimin e karburanteve , atë të çështjes “Virgin” duke i lënë fjalën e fundit për gjykim Gjykatës së Tiranës. Dosja e Prokurorisë numëron plot 16 të pandehur mes të cilëve pronari i kompanisë “Euroil”, Hajri Elezaj.

Gjithashtu si të përfshirë në skemën e mashtrimit janë edhe pronarët e kompanisë “Fisheku” dhe “Martini”, të cilët dyshohet se kanë transportuar naftën virgin nga kompania “Armo” në Fier drejt depozitave në Durrës, ku dyshohet se bëhej përzjerja e naftës virgin me benzinën për tu hedhur në treg.

Zyrtarisht kjo lloj nafte deklarohej si e eksportuar jashtë vendit. Pas hetimit, prokuroria urdhëroi arrestimin e të paktën 13 personave që dyshoheshin si të përfshirë në skemën e mashtrimit. Gjatë hetimeve të kryera pas arrestimit të të dyshuarve si përgjegjës, u arrit të zbulohej se në këtë aferë ishin përfshirë edhe disa inspektorë të anti-kontrabandës, të cilët kishin deklaruar të dhëna të rreme. Në një nga rastet e provuara, prokuroria ka arritur të sekuestrojë një procesverabl sipas të cilit inspektorët e anti-kontrabandës kanë deklaruar eksportin e naftës virgin, në një kohë që anija në të cilën thuhet se është ngarkuar karburanti është nisur bosh nga Porti i Vlorës.

Gjithashtu, pjesë e skemës së mashtrimit, sipas prokurorisë, janë edhe shoferët apo punonjës të tjerë të kompanisë “Fisheku”, të cilët kanë kryer transportin e naftës virgin me botet e kësaj kompanie. Personat e vënë nën akuzë dyshohen për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre. Lista e plotë emërore e të pandehurve vijon si më poshtë:
-Hajri Elezaj
- Iljas Fisheku
-Bledar Rama
-Edmond Ferraj
-Dashamir Kasaj
-Arian Daci
-Flamur Merkaj
-Genci Prence
-Fadil Abdurrahmani
-Kadri Hajredini
-Vladimir Koteci
-Reshat Aleksi
-Gazmend Serjanaj
-Fatmir Kaja
-Nikollaq Llozi
si dhe personi juridik “Euroil Sha” me NIPT K52302801C.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›