E Diel, 1 Nëntor 2026

Trukimet, Duka thërret zyrtarët e Federatës në mbledhje urgjente

TIRANE-Publikimi i raportit të UEFA-s për 13 ndeshje të trukuara në Shqipëri ka tronditur gjithë futbollin shqiptar dhe drejtuesit e tij.

Presidenti i Federatës Armand Duka ka zhvilluar një mbledhje urgjente me stafin e tij, duke kërkuar llogari për rrjedhjen e informacionit. Tonet në këtë mbledhje kanë qenë tepër të larta, sidomos karshi sekretarit të përgjithshëm Eduard Prodani, i cili është njeriu që i merr direkt këto raporte nga Nioni zyrtar. Në mbledhje kanë qenë edhe zyrtarë të Komitetit Ekzekutiv, ç’ka tregon se letrat e UEFA-s kanë qenë një “cunami” për Federatën. Por, çudia qëndron në faktin se shqetësimi i drejtuesve të saj ka qenë më shumë për daljen e raporteve në shtyp, sesa për përmbajtjen e tyre.

Ndërkohë që ministri Bumçi ka kërkuar që me këtë çështje të merren organet kompetente, burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës bëjnë të ditur se nuk ka ende një hetim, pasi ky organ nuk disponon korrespondencës mes UEFA-s e Federatës. Por, nuk përjashtohet që në ditët e ardhshme të nisë një hetim i tillë.
Letrat e dërguara nga UEFA, se 12 ndeshje të sezonit të shkuar, dhe një e këtij viti, kanë qenë të trukuara, janë një nga goditjet më të rënda për futbollin shqiptar. Ato kanë vërtetuar atë çfarë është thënë në periudhën e zhvillimit të këtyre ndeshjeve dhe që Federata e hidhte poshtë duke thënë se nuk ka prova.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Ministri Bumçi: Trukimet? Organet kompetente të ndërhyjnë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›