E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Duka kërkon përqendrim nga kuqezinjtë

I njoftuar për lëvizjet e tepërta të lojtarëve, kreui FSHF-së ka shkuar në rezidencën e kombëtares shqiptare

I shqetësuar nga ato çfarë ka lexuar në media dhe ato që i ka raportuar stafi i tij, në lidhje me futbollistët kuqezinj, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka shkuar të mërkurën paraditenë rezidencën e kombëtares. Vizita e kreut të institucionit të futbollit, krahas synimit për t'i qëndruar afër kombëtares, këtë herë kishte për qëllim disiplinimin e futbollistëve. Nisur nga lëvizjet e tepruara të kuqezinjve në ambientet e hotelit, në qendër të kryeqytetit, Duka urdhëroi: "Nuk dua të shikoj asnjë futbollist në katin e parë të hotelit. Jemi para një ndeshjeje shumë të rëndësishme dhe futbollistët duhet të jenë sa më të përqendruar. Lëvizjet e tepruara nuk mund të tolerohen."

Ky urdhër i presidentit Duka u është komunikuar futbollistëve nga stafi teknik. Ata menjëherë kanë nisur ta zbatojnë, teksa këto dy ditë kohën e lirë e kanë kaluar në verandën e hotelit, që ndodhet në katin e dytë, aty ku dhe ushqehen. Për mosqëndrimin në hollin e hotelit, që korrespondon me katin e parë, gjithçka ka ardhur si pasojë e faktit që në këtë vend ka shumë lëvizje njerëzish. Nisur nga kjo, qëndrimi i tepëruar i kuqezinjve në barin e vendosur në krahun e majtë, binte shumë në sy. Nga ana tjetër, përveç thirrjes për disiplinë, mësohet se presidenti Armand Duka u ka premtuar kuqezinjve një shpërblim të madh në rast se arrihet suksesi me Suedinë. Shifrat nuk bëhen të ditura, por burime zyrtare në FSHF tregojnë se në rast se arrihen 6 pikë në këto dy ndeshje, kuqezinjtë do të mbushin mirë xhepat. Gjithsesi, prania pothuajse e përditshme e kreut të federatës në grumbullimin e kombëtares, është një shenjë e mirë, pasi edhe morali i futbollistëve rritet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›