Presidenti, Fajon: Brukseli po ju monitoron, mos bëni gabimet e së kaluarës
Katër ditë përpara nisjes së procedurave zyrtare nga Parlamenti për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, Brukseli vendos nën monitorim Shqipërinë. Eurodeputetja Tanja Fajon në një intervistë për “Albanian Screen” thotë se Parlamenti Europian kërkon një proces të drejtë dhe demokratik.
“Ne do e ndjekim procesin e zgjedhjes së Presidentit. Ne shpresojmë që ai të jetë një proces i drejtë e demokratik, sepse nuk duam të bëhen gabimet që kanë ndodhur në të kaluarën. Zgjedhja e Presidentit do të tregojë nëse vendi e ka arritur maturinë e mjaftueshme për të vazhduar integrimin evropian. Unë mendoj se ky vit mund të jetë vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë”, tha Tanja Fajon, eurodeputete, ish-raportuese për vizat me Shqipërinë në PE.
Tanja Fajon kërkon gjithashtu që partitë të mos humbasin kohë në finalizimin e Ligjit të ri zgjedhor.
“Është shumë e rëndësishme që reforma zgjedhore të përfundojë, që Shqipëria të tregojë maturi dhe kryesorja që zgjedhjet e reja të zhvillohen në mënyrë të drejtë e demokratike. Sepse në të kaluarën ne kemi parë shpesh që Shqipëria ka humbur kohë në përmbushjen e reformave të integrimit evropian. Mendoj se ky duhet të jetë fokusi tani: të mos ketë më vonesa”, vijon Fajon.
Komisioni Europian brenda këtij viti pritet të miratojë edhe një ligj, i cili sipas Fajon pritet të përdor mekanizmin e bllokimit të përkohshëm të vizave vetëm në raste krize dhe si masë ekstreme.
“Ne po diskutojmë për mekanizmin e bllokimit të përkohshëm të regjimit të lirë të vizave. Është shumë e rëndësishme, sidomos për vendet e Ballkanit Perëndimor, që qyetarët të dinë se cilat janë rreziqet që ai mund të sjellë dhe në ç?mënyrë ata mund të parandalojnë abuzimet me lëvizjen e lirë. Kur ky mekanizëm për pezullim të përkohshëm të lëvizjes së lirë të miratohet, atëherë jo vetëm vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe vendet e tjera, nëse nuk respektojnë kushtet, rrezikohen të vihen n렠 “listën e zezë” të Shengenit ose do t?u rikthehet sistemi i mëparshëm i vizave”, tha Fajon.
Lidhur me statusin, Fajon shprehet se është në dorën e klasës politike në Shqipëri nëse shqiptarët do të marrin statusin brenda këtij viti. Sipas saj, shansin historik të 100-vjetorit të Pavarësisë shqiptarët duhet ta përdorin për ta bërë këtë hap të ri drejt Bashkimit Evropian, sepse kjo është dëshirë e të gjithë qytetarëve dhe se “Shqipëria i përket Evropës”.