E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta: Deklaratat e Ramës për taksë progresive, një terror i vërtetë

20-03-2013 / Gazeta 55

Kreu i LSI, Ilir Meta në Konventën e Lëvizjes së Gruas për Integrim në Fier bën thirrje për përgjegjshmëri politike, pasi sjellja e opozitës po rrezikon ta çojë vendin në një kolaps ekonomik

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në Konventën e Lëvizjes së Gruas për Integrim në Fier ka deklaruar se deklaratat populiste për rritjen e progresive të taksave kur të gjithë vendet e rajonin e kanë rreth 10 për qind do të thotë të çosh vendin në kolaps.
“Kemi filluar fushatën elektorale dhe qëllon që të dëgjojmë edhe deklarata populiste jashtë këtij realiteti ekonomik dhe social. Njëra nga ato për shembull është që do rrisim tatimin mbi fitimin për bizneset, për sipërmarrjet dhe do të shtojmë punësimin e do të luftojmë varfërinë. Të bësh deklarata të tilla sot, do të thotë të çosh në kolaps ekonominë e vendit, do të thotë ti detyrosh investitorët e huaj e ata vendas që të largohen nga Shqipëria drejt Maqedonisë, drejt Serbisë, apo drejt Malit të Zi apo qoftë edhe drejt Kosovës. Pse? Sepse dihet që në një botë të tillë ku nuk konkurrojnë më vendet me vendet, por konkurrojnë edhe rajonet me rajonet, në një kohë kur të gjithë këto vende kanë të njëjtin tatim-fitimi, 10 për qind, me atë që ka sot Shqipëria, ndërkohë që Mali i Zi e ka çuar 9 për qind, të shtosh tatim mbi fitimin do të thotë që tu tregosh derën nga kanë hyrë investitorëve për të shkuar në vende më pranë Shqipërisë, për të ulur vendet e reja të punës. Prandaj është e rëndësishme që politika të jetë e përgjegjshme, të jetë me këmbë në tokë, sepse është e lehtë për të bërë opozitë, është e lehtë për të qenë populist, por është përgjegjësi e madhe që jo vetëm të mos shtosh vende të reja pune, por përkundrazi të shtosh papunësinë”, deklaroi Meta.
Më pas Meta theksoi se LSI duke qenë një forcë realiste, dhe duke ofruar një vizion të qartë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, njëkohësisht është edhe një garantuese jo vetëm e vazhdimësisë së politikave ekonomike, mbështetëse ndaj sipërmarrjes dhe punësimit, por në një mënyrë të veçantë edhe një garanci që këto politika  të jenë më efikase në drejtim të një punësimi më të gjerë, të grave dhe të vajzave sepse vetëm në këtë mënyrë ne do të arrijmë fuqizimin real ekonomik e social të vajzës, të gruas shqiptare. 
“Kjo do të sjellë edhe fuqizimin e familjes, edhe fuqizimin e komunitetit dhe evropianizimin e të gjithë vendit tonë. Ndaj ,duke mbështetur LSI-në, ju keni mbështetur ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit aktual, por edhe një perspektivë më të mirë. Është e rëndësishme njëkohësisht të kuptojmë se ne kemi nevojë për të zhvilluar një tolerancë më të madhe në shoqërinë tonë, në kundërshtim me këtë konfliktualitet të sforcuar që sjell politika, të cilin e paguan i gjithë vendi, jo thjesht në stopimin e proceseve integruese dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, por edhe bllokimin e të gjitha atyre projekteve, të cilat do të hapnin shumë vende të reja punë në Fier dhe në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh kreu i LSI-së.
Ndër të tjera,  Meta vuri në dukje se LSI  ka qenë dhe mbetet gjithnjë e vëmendshme dhe e para në kapjen e e problemeve më të mprehta sociale dhe në ofrimin e lehtësive dhe mbështetjeve në këtë drejtim. 
“Ne jemi krenarë edhe për vendimin që morëm në konventën tonë të tetorit të shkuar për të qenë e para forcë politike e cila vendosi në të gjithë forumet e saja barazinë e plotë gjinore, 50 për qind me 50 për qind. Kjo nuk është thjesht një risi por në radhë të parë mendoj se është një largpamësi, është shprehje e vizionit tonë për një Shqipëri evropiane dhe kjo nuk mund të ndodhë kurrsesi pa marrë pozitën e merituar vajza dhe gruaja shqiptare. Dihet që gjithmonë gjysma e plotë janë gratë, vajzat dhe nënat. Pra janë gjysma më e rëndësishme edhe në familje, edhe në komunitet, edhe në shoqëri Çdo gjë tjetër pastaj mbetet thjesht një retorikë”. 
Sipas tij, LSI është krenare që gjatë kësaj kohe janë bërë mjaft lehtësira të cilat kanë bërë të mundur që në një periudhë shumë të fortë krize, të rrethuar nga një presion i jashtëzakonshëm trysnues, ne kemi arritur që në këtë sektor të mos pakësohen vendet e punës, përkundrazi ato të shtohen.  
Gjithashtu kreu i LSI Meta vlerësoi se dje, në Parlament ka ndodhur një akt, që sipas tij,  ishte tepër pozitive. 
“Në një kohë që dëshira për të udhëhequr sa më nacionalist pushtoi gati gjithë skenën politike, dje Parlamenti ynë bëri një akt tepër pozitiv dhe europianizues duke respektuar kërkesën e një komuniteti si ai i Komunitetit Maqedonas që jeton në vendin tonë dhe duke vendosur emrin e komunës atë emër që kishte qenë dhe ishte emërtuar nga sistemi i kaluar. Dhe ky votim doli 120 pro, asnjë kundër, asnjë abstenim. Unë mendoj se ky ishte një hap tepër pozitiv sepse është një akt europianizues, sepse është një akt tolerance, mirëkuptimi dhe respekti ndaj një pakice, e cila është pjesë e kësaj shoqërie. Ky ishte një akt integrimi tepër pozitiv”, theksoi Meta.
Ai qortoi ata që u përpoqën ta quanin si një akt shkombëtarizues, por sipas Metës, kjo është thjesht një retorikë bajate.
“Shqiptarët nuk u shqiptarizuan atëherë kur nuk kishin shtete, jo më sot që kanë dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën. Por, ky vizion dhe kjo tolerancë që u tregua dje nga të gjithë politikanët dhe kjo përgjegjshmëri duhet treguar edhe për miratimin e tre ligjeve së shpejti, se përndryshe vendi do të humbasë mundësinë për të marrë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti. Ky është një mesazh për politikën tonë që ajo të reflektojë dhe që ajo të bëhet më e ndjeshme dhe më e përgjegjshme”. 
Në fund, kreu i LSI vlerësoi se, vendi ka nevojë për stabilitet, për përgjegjshmëri, vendi ka nevojë për zgjedhje të drejta dhe të ndershme dhe ka nevojë që të gjithë të respektojnë verdiktin e qytetarëve të Fierit dhe të gjithë Shqipërisë të dhënë në mënyrë të qetë dhe demokratike. “Ne duhet të angazhohemi për një proces model, për një proces të standardeve më të larta evropiane, për një proces që të nderojë çdo shqiptar kudo ku jeton si pjesëtar dhe përfaqësues i një vendi demokratik dhe i një vendi të vërtetë evropian, ashtu sikurse jeni ju të gjitha këtu në shpirtin tuaj, në vullnetin tuaj, në ëndrrat tuaja për fëmijët tuaj dhe familjet tuaja”, përfundoi kreu i LSI-së Ilir Meta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›