Presidenti, Konferenca e Kryetarëve: Votimi i parë më 30 maj

30 Maji, do të jetë edhe seanca e parë kur do të votohen kandidaturat për kreun e ri të shtetit. Vendimi është marrë sot nga Konferenca e kryetarëve e cila ka vendosur që dita e mërkurë të jetë edhe votimi i parë për të zgjdhur presidentin e ri.
Në një prononcim për mediat, kreu i grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi theksoi se axhenda normale e punimeve të parlamentit nuk do të ngatërrohet me votimin për presidentin.
Sipas tij nëse nuk arritet konsensusi i nevojshëm për miratimin e kandidatit të zgjedhur me herën e parë, atëherë Konferenca do të mblidhet sërish për të përcaktuar një tjetër datë për votimin.
"Konferenca e kryetarëve vendosi të mos cënojë axhendën normale që nuk do referohet me procedurat e zgjedhjes së presidentit. Kalendari i parashikuar nga konferenca do të vazhdojë normalisht. Kushtetuta përcakton mënyrën si bëhet zgjedhja. Shpresojmë që presidenti të zgjidhet që në raundin e parë. Nëse nuk ndodh do mblidhet sërish konferenca dhe do caktojë raundin e dytë", theksoi Patozi.
Në bazë të kushtetutës, kreu i ri i shtetit do të zgjidhet në njërin nga pesë raundet që do të përcaktohen. Në tre raundet e para Kushtetuta kërkon që Presidenti të zgjidhet me 84 vota, pra me një shumicë të cilësuar votash e cila nuk mund të arrihet vetëm nga mazhoranca dhe opozita. Por në rast se këto tre raunde të para dështojnë, atëherë Kushtetuta parashikon dy raunde të tjera në të cilat kreu i ri i shtetit do të zgjidhet me 71 vota.