Presidenti, Meta: Opozita të bëjë propozime konkrete

Kreu i LSI-së, Ilir Meta ka vlerësuar sërish kandidaturën e maxhorancës për president të vendit ndërsa ka kërkuar nga opozita të bëjë propozime konkrete. Në një konferencë për shtyp, Meta ka vlerësuar edhe takimin e mbrëmshëm Berisha- Rama dhe vullnetin e dy palëve për të gjetur një zgjidhje konsensuale duke shtuar se kjo zgjidhje mund të vijë në raundin e tretë.
“Lidhur me qëndrimin e maxhorancës theksoj faktin se ajo ka bërë një kapërcim të madh që duhet vlerësuar, duke dalë nga kandidaturat politike, që asaj nuk i mungojnë dhe duke përzgjedhur pas diskutimit të emrave të tjerë një figurë si ajo e Zaganjorit me bindjen se përfaqëson standarde të larta për postin por edhe me bindjen se është një figurë që nuk ka arsye të rëndësishme për tu kontestuar. Por ky është një proces, i dyanshëm, nuk ka qenë perfekt, por kjo s`do të thotë se duhet të qëndrojmë në paragjykime që bëhen pengesë për konsensusin, opozita nga ana e saj të bëjë propozimet e saj sepse maxhoranca nuk është refraktare” shtoi Meta.
Sipas tij, maxhoranca mbetet e hapur që opozita të kontribuojë edhe me propozime konkrete në një proces konsensual për presidentin e ri të vendit.