E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i ri, konsumohet pa kandidat raundi i dytë

Konsumohet sërish pas një kandidat konkret, raundi i dytë i votimit për presidentin e ri në Kuvend. Seanca e sotme plenare zgjati vetëm pak minuta ku kryetarja e kuvendit Jozefina Topallo deklaroi se raundi quhet i ezauruar, ndërsa ka njoftuar mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për të përcaktuar edhe datën për raundin e tretë të votimit.
 

“Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë votimi quhet i kryer. Njoftoj mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve pas një ore për të vendosur datën e raundit të tretë të votimit për presidentin e ri të vendit” theksoi Topalli, duke njoftuar edhe mbylljen e seancës.


Procedurat
Në Kushtetutë është vendosur që procesi i votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të bëhet në pesë raunde nëse zgjedhja nuk arrihet në raundin e parë dhe kandidatët të marrin 84 vota të deputetëve të pranishëm. Votimi për zgjedhjen e kreut të shtetit do të kryhet brenda shtatë ditëve, derisa kandidatët që do të jenë në garë të sigurojnë një mbështetje maksimale. Çdo votim do të kryhet në mënyrë të fshehtë dhe pa debat.
“Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni”, thuhet në nenin 86 të Kushtetutës.
Mazhoranca ka propozuar si kandidat të saj për president të vendit, anëtarin e gjykatës kushtetutese Xhezair Zaganjori por kjo kandidaturë duket se nuk do të votohet sërish sot nga opozita. Kreu i PS-së Edi Rama deklaroi dje pas takimit me kryeministrin Berisha se opozita nuk do të votojë kandidaturën e Zaganjorit ndërsa shprehu bindjen se çështja e presidentit duhet zgjidhur dhe se raundet nuk janë për t`u konsumuar, por janë për të gjetur një zgjedhje konsensuale mes opozitës dhe mazhorancës.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›