E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Morsi sfidon protestat, rriten vdekjet në sheshet e Egjiptit

morsiEgjipt- Presidenti i Egjiptit, Mohammed Morsi ka insistuar se ai mbetet president legjitim i vendit, teksa protesta masive po i marrë jetën gjithnjë e më shumë njerëzve në kryeqytet, Kairo.

Në një fjalim televiziv natën vonë, Z. Morsi hodhi poshtë një ultimatum të ushtrisë që kriza të zgjidhet deri të mërkurën.

Z. Morsi tha se ai nuk do të diktohet nga ato dhe i bëri thirrje protestuesve të qëndrojnë të qetë. Megjithatë, të paktën 16 njerëz kanë vdekur në një miting pro-Morsisë brenda natës.

Ushtria më herët publikoi detajet e “udhërrëfyesit” për të ardhmen e Egjiptit. Detajet e planit të rrjedhura për BBC përvijuan zgjedhjet e reja presidenciale, pezullimin e kushtetutës së re dhe shpërbërjen e parlamentit.

Ushtria kishte paralajmëruar të hënën se do të ndërhyjë nëse nuk gjendet një zgjidhje, duke i dhënë Z. Morsi 48 orë për të gjetur marrëveshje me opozitën. Z. Morsi më herët u takua me kreun e forcave të armatosura, gjenerali Abdel Fatah al-Sisi, për të dytën ditë radhazi. Ata nuk japin asnjë detaj të bisedimeve, të cilat gjithashtu përfshinin kryeministrin Hisham Kandil.

Z. Morsi është vënë nën presion të mëtejshëm nga dorëheqja e gjashtë ministrave nga qeveria e tij të hënën, duke përfshirë ministrin e Jashtëm Kamel Amr. Të martën, zëdhënësat e presidencës dhe qeverisë kishin raportuar gjithashtu se janë dorëhequr.

Komisioneri i lartë i OKB për të drejtat e njeriut i bëri thirrje presidentit që të angazhohet në një dialog serioz “kombëtar” për t’i dhënë fund krizës politike dhe tha se asgjë nuk duhet të bëhet për të minuar procesin demokratik.

Trazirat janë përshkallëzuar që nga e diela, kur përkrahësit Tamarod u mblodhën në mbarë vendin, duke i bërë thirrje presidentit që të japë dorëheqjen në përvjetorin e parë të ardhjes së tij në pushtet.

Z. Morsi u bë presidenti i parë islamik i Egjiptit më 30 qershor 2012, pas fitores në zgjedhjet që konsiderohen si të lira dhe të ndershme pas revolucionit që përmbysi Mubarakun në 2011-ën. Megjithatë, viti i tij i parë në detyrë ka qenë njollosur nga trazira të vazhdueshme politike dhe një ekonomi në fundosje.

Dorina Bilbili/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›