E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Nishani dekreton Xhezair Zaganjorin kryetar te Gjykates se Larte

Kreu i shtetit dekretoi sot Kryetarin e Gjykatës së Lartë dhe anëtarin e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti Nishani, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136, pika 1 dhe 2 të Kushtetutës së Shqipërisë, dekretoi emërimin e zotit Xhezair Zaganjori, Kryetar i Gjykatës së Lartë. 
“Bazuar në nenin 93 dhe 136, pika 1 dhe 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bujar Nishani dekretoi emërimin e zotit Xhezair Zaganjori, kryetar të Gjykatës së Lartë. Z. Xhezair Zaganjori është emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë me dekretin nr.8065, datë 22.03.2013 të Presidentit të Republikës. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, me vendimin nr. 5/2013 ka dhënë pëlqimin për emrimin e Z. Zaganjori, anëtar i Gjykatës së Lartë. Sot, me datë 24 prill 2013, Z. Zaganjori është betuar para trupës së Gjykatës së Lartë”, citohet në relacionin për dekretimin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë. 
Gjithashtu, Presidenti Nishani dekreton emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese. 
Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 125, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, Nishani dekretoi emërimin e zotit Fatos Lulo, anëtar i Gjykatës Kushtetuese.  “Bazuar në nenin 93 dhe 125, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bujar Nishani dekretoi emërimin e zotit Fatos Lulo si anëtar të Gjykatës Kushtetuese.Me shkresën nr. Prot.824, datë 22.04.2013 të dërguar nga Kryetarja e Kuvendit, Znj. Jozefina Topalli, duke konsideruar të ezauruar dekretin për emërimin e z. Artan Hoxha, kërkohet dërgimi i një kandidature të re, e cila të plotësojë kriteret kushtetuese dhe ato të meritës”, sqarohej në relacionin për emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›