Presidenti Nishani i dorëzoi Flamurin Kombëtar atletit, Haki Doku
Atleti do të marrë pjesë për herë të parë në Lojërat Paraolimpike Londër 2012
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i dorëzoi dje Flamurin Kombëtar atletit Haki Doku, i cili do të marrë pjesë për herë të parë në Lojërat Paraolimpike Londër 2012.
Në një ceremoni të posaçme zhvilluar me këtë rast, në mjediset e Presidencës ishin të pranishëm Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Nicolas Cannon, Presidentja e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Ela Tase, si dhe Drejtori i Fondacionit “Vodafone”, Albi Greva.
Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, të pranishmit u përshëndetën nga Drejtori i Fondacionit “Vodafone”, i cili është dhe donatori kryesor për atletin paraolimpik shqiptar, paraçiklistin Haki Doku, si dhe Ambasadori britanik në Shqipëri, Nicolas Cannon.
Pjesëmarrësit e falënderuan Presidentin Nishani për gatishmërinë e treguar në organizimin e kësaj veprimtarie, si dhe për mbështetjen institucionale dhe morale dhënë për atletin Doku.
Presidentja e KOKSH-it, Ela Tase vuri në dukje rëndësinë e zhvillimit të këtyre veprimtarive që dëshmojnë mbështetjen e shtetit shqiptar për sportin, në mënyrë që sporti shqiptar i të gjitha disiplinave dhe niveleve të ketë përfaqësim dinjitoz në veprimtari sportive ndërkombëtare.
Gjatë përshëndetjes së tij, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Nikolas Kanon u shpreh ndër të tjera se, “Kjo ceremoni e organizuar në Presidencë nga vetë Presidenti i Republikës, demonstron qartë që kjo është një fushë ku Shqipëria po ndryshon me hapa të shpejtë. Qeveria qendrore dhe vendore po bëhen të përgjegjshme për çështjen e përfshirjes së personave me aftësi të kufizuar. Publiku po bëhet me i ndërgjegjshëm për nevojat dhe dëshirat e personave me aftësi të kufizuar. Jam i kënaqur që Këshilli Britanik ka qenë aktiv në adresimin e këtyre nevojave. Dua të përgëzoj gjithashtu punën e Fondacionit ‘Vodafone’ nëpërmjet programit ‘Bota e Ndryshimit’, i cili nëpërmjet një game të gjerë projektesh mbarëkombëtare përshin njerëzit me aftësi të kufizuara”.
Momenti kulmor dhe simbolik i kësaj ceremonie ishte kur Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i dorëzoi Flamurin Kombëtar paraçiklistit Haki Doku, duke i përcjellë urimet më të përzemërta për suksese në Lojërat Paraolimpike Londër 2012.
Kryetari i Shtetit shprehu bindjen se atleti Haki Doku falë punës dhe sakrificës së tij do ta përfaqësojë denjësisht Shqipërinë dhe do ta mbajë lart flamurin shqiptar me nder dhe përgjegjësi.