E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Nishani në “Logun e Bjeshkëve”: Komuna Kelmend, “Nderi i kombit”

12-08-2013 / Gazeta 55

Titulli mban motivacionin “Për kontribut të shquar për identitet kombëtar, për trimëri dhe heroizëm në kryengritjet antiosmane për pavarësi, për qëndresën heroike në ruajtjen e kufijve kombëtarë nga copëtimi shovinist, për kryengritjen e parë antikomuniste (1945), ku gjaku i martirëve u shndërrua në memorie dhe vullnet për të kërkuar demokraci, për prijësit dhe bijtë e saj të shquar që ka nxjerrë në shekuj”

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka nderuar me titullin “Nderi i kombit” Komunën Kelmend.  Dekorata është dhenë gjate aktivitetit “Logu i Bjeshkëve”, veprimtarinë e përvitshme me te ftuar qindra banorë të Kelmendit, të Malësisë së Madhe, Kosovës, shqiptarë nga Mali i Zi e shumë të tjerë nga diaspora. Titulli i dhenë mban motivacionin “Për kontribut të shquar për identitet kombëtar, për trimëri dhe heroizëm në kryengritjet antiosmane për pavarësi, për qëndresën heroike në ruajtjen e kufijve kombëtarë nga copëtimi shovinist, për kryengritjen e parë antikomuniste (1945), ku gjaku i martirëve u shndërrua në memorie dhe vullnet për të kërkuar demokraci, për prijësit dhe bijtë e saj të shquar që ka nxjerrë në shekuj”. Duke vlerësuar “Logun e Bjeshkëve”, si një markë të etnicitetit, etnografisë dhe kulturës shqiptare, Presidenti Nishani theksoi se në kushtet e globalizmit, identitetet kulturore nëse janë të forta dhe arrijnë të kultivohen, spikasin dhe mund të dalin në pah më shumë se më parë. “Nëse do të kishim për zemër fatet e kulturës shqiptare dhe fatet e formimit të pasardhësve tanë, duhet që jo vetëm t’u bëjmë një jehonë manifestimeve të tilla artistike, etnografike  dhe patriotike si “Logu i Bjeshkëve”, por duhet t’u bëjmë një lexim edukativ, informues dhe tendencë zhbirues”- tha Nishani. Ai vlerësoi  trashëgiminë e trevës si shembull i gjallë i vlerësimit dhe cilësimit të gruas si një zonjë e vërtetë, që merrte pjesë në kuvende, thoshte  lirshëm fjalën e saj, madje dhe  votonte. “Ky është një mesazh i madh qytetarie dhe përparimi që “Logu i Bjeshkëve” duhet t’ia shpërndajë gjithë Shqipërisë dhe gjithë përpjekjeve që ajo sot po bën në betejën e saj kundra padrejtësive dhe pabarazisë gjinore, si një normë bazë e së ardhmes sonë europiane”- tha me tej Nishani. Ai prezantoi të bijën, Fiona, të veshur në shenjë respekti dhe admirimi me një kostum popullor të kësaj krahine, e me pas ndoqi së bashku me familjen e tij të gjithë manifestimin “Logu i Bjeshkëve”, në fund të të cilit u përshëndet ngrohtësisht dhe bisedoi nga afër me banorët e Kelmendit dhe të ftuarit e tjerë.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›