Presidenti Nishani vijon vizitën në Kosovë

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, vazhdon sot vizitën e parë në Kosovë në cilësinë e kryetarit të shtetit. Gjatë ditës së sotme, kreu i shtetit do të vizitojë dhe familjen martire të Haradinajve në Gllogjan, si dhe do të ndalet për të vizituar muzeun e Lidhjes historike të Prizrenit, Kishën Katolike të Binçës, Manastirin e Deçanit dhe Xhaminë e Sinan Pashës.
Një etapë e veçantë e kësaj vizite do të jetë edhe fjala që Presidenti i Republikës, Bujar Nishani do të mbajë në Universitetin AAB, në prani të shumë përfaqësuesve nga bota akademike, të shoqërisë civile kosovare, intelektualë, pedagogë dhe studentë.
Një ditë më parë, presidenti Nishani është takuar me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministrin Hashim Thaçi dhe zyrtarë të tjerë kosovarë.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Kosovë, presidenti i Shqipërisë ka thënë se heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, do të hapë rrugë të reja për vendin ndërsa ka shtuar se Kosova do të jetë kryefjala e takimeve të tij.