Sesioni i ri, mblidhet kryesia e PS-së dhe Konferenca e kryetarëve

Partia Socialiste ka mbledhur sot kryesinë e saj, për të diskutuar në lidhje me qëndrimin që do të mbajë kjo forcë politike për sesionin e ri parlamentar.
Mbledhja e kryesisë e cila është zhvilluar me dyer të mbyllura për mediat është drejtuar nga kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi ndërsa mendohet se në fokus të saj ka qënë heqja e imunitetit dhe ligji për Gjykatën e Lartë.
Ndërkohë ditën e sotme në orën 10:30 do të mblidhet edhe Konferenca e kryetarëve ku pritet të miratohet edhe kalendari i punimeve të Kuvendit.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur ditën e djeshme kryeparlamentarja Topalli deklaroi se në kalendar do të jenë të përfshira të gjitha projektligjet që gjatë kësaj periudhe kanë ardhur nga qeveria. Sipas saj prioritare në punën dhe në axhendën parlamentare do të jetë botimi i ligjit “Për Gjykatën e Lartë”, i cili nuk kalon pa votat e opozitës por që në sesionin e kaluar opozita nuk e votoi.
Ndërsa i ka bërë apel opozitës ta votoj ligjin për Gjykatën e Lartë kryeparlamentarja Topalli theksoi se bllokimi i këtij ligji vështirëson vënien në zbatim të ligjit “Për Gjykatën Administrative”.